Zhoze Murinjo ka nxjerrë nga goja dy fjali së fundmi, në përpjekjen e tij për të mbrojtur futbollistin e tij shumë të kritikuar, Pol Pogba. E para ishte që “nuk është faji i Pogbasë që ata që e kritikojnë fitonin 10 herë më pak se ai kur ishin futbollistë, dhe nuk është faji i tij që është multimilioner”. Fjalia e dytë ishte që “Poli kritikohet nga ata që kanë nevojë për çdo kacidhe që të mbijetojnë”.
Që trajneri i Mançester Junajtidit është një njeri që nuk e njeh turpin kjo ka kohë që dihet, dhe ndoshta nuk besohet që shumëkush të jetë habitur nga sjellja më e fundit. Nëse në Portugalinë e tij të lindjes, në Spanjë ku ai drejtoi Realin, në Itali ku ishte me Interin, apo edhe në Angli, shumica dërrmuese e njerëzve kanë nevojë për çdo kacidhe që të jetojnë siç duhet, kjo duket nuk mjafton që zoti Mou t’i respektojë. Ky njeri i dalldisur nga të mirat e përkohëshme të futbollit ka harruar edhe nga vjen, por edhe se nga vijnë shumica dërrmuese e tifozëve të skuadrave të tij (sa ndryshe nga Sër Mat Basbi).
Pikërisht ky lloj njeriu i lejon vetes të vazhdojë me një moralizim të tillë si “ndjej se bota po humbet vlerat dhe të gjithë ne e dimë se zilia po arrin nivele të jashtëzakonshme, aq sa unë jam i tmerruar për brezin e ardhshëm nëse gjërat shkojnë në këtë drejtim”. Besohet se të ofenduar duhej të ishin ndjerë gazetarët që ishin përballë Murinjos duke dëgjuar “mufkat” e tij.
Sfidanti.al