Boterori me i madh, por edhe më shumë probleme !

Botërori 2026, i pari në histori me 48 kombëtare dhe 104 ndeshje, po ngjall debate të forta mbi cilësinë e spektaklit futbollistik. Sipas një analize të publikuar në mediat italiane, zgjerimi i vazhdueshëm i kompeticionit nga FIFA po sjell më shumë probleme sesa përfitime.

Turneu që zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë konsiderohet simbol i një filozofie ku “sa më i madh, aq më mirë”. Megjithatë, kritikat lidhen me nivelin teknik të ndeshjeve jo në lartësinë e pritshmërive. Rritja e numrit të pjesëmarrësve ka sjellë edhe përballje të pabarabarta, duke ulur mesataren e cilësisë sportive.

Një tjetër problem i evidentuar është zhvillimi i ndeshjeve në temperatura të larta dhe në orare të përcaktuara kryesisht nga kërkesat e tregut televiziv global. Vapës së madhe i atribuohet ritmi më i ulët i lojës dhe lodhja e hershme e futbollistëve, ndërsa rikthehet në kujtesë finalja e Botërorit 1994 në Kaliforni, e konsideruar ndër më pak spektakolaret në histori pikërisht për shkak të kushteve klimatike.

Analiza ndalet edhe te pushimet për hidratim gjatë ndeshjeve, të cilat sipas autorit shërbejnë jo vetëm për mbrojtjen e lojtarëve, por edhe për të krijuar hapësira shtesë reklamuese për transmetuesit televizivë.

Në përfundim, kritikat drejtohen ndaj FIFA-s për vendosjen e interesave ekonomike mbi cilësinë e futbollit. Sipas autorit, zgjerimi i Botërorit ka rritur përmasat e turneut, por jo domosdoshmërisht nivelin e tij, duke ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen e kompeticionit më të rëndësishëm të futbollit botëror.