Qënka kërcënuar trajneri Gjoka në prag të ndeshjes Vllaznia – Kamza, vjen lajmi nga Shkodra dhe “shqiponjat” kanë qarkuar fushën ku stërvitej Vllaznia. Cili e ka kërcënuar trajnerit e Vllaznisë? Sipas zakonit të vjetër në kësi rastesh, nuk thuhet asgjë më shumë. Kush duhet ta mbrojë trajnerin kur ndihet i pasigurt për të ushtruar profesionin? Përgjigja vjen vetëm nga policia, sepse ka vite që ka “vdekur” Shoqata e Trajnerëve, ajo që ngjallet vetëm për të votuar, duke injoruar në mënyrë flagrante vandakun e halleve që rëndojnë mbi trajnerët e sotëm. Trajnerë që kanë treguar durim spartan kur kanë marrë kërcënime të “ëmbla” nga presidentët, trajnerë që qepin buzët kur qëndrojnë me muaj pa marrë rrogën, trajnerë që janë mësuar të heshtin kur kërcënohen nga brenda klubit, nga shefat, por edhe nga vetë futbollistët, duke shpresuar se, të paktën, do të mbroheshin nga sulmet jashtë klubit…
Përse nuk ka një reagim të FSHF-së për të mbrojtur trajnerin e pambrojtur, Nesti Gjoka?
Po sikur të ndërronim rolet dhe në vend të trajnerit të ishte një president i kërcënuar, apo një zyrtar i FSHF-së, e imagjinoni dot shqetësimin e Zotave nëpër zyra. Pyetja nuk bën shumë efekt sepse prej vitesh jemi mësuar me fabulën që dhunën mund ta durojë fare bukur populli i futbollit, ku janë me meritë edhe trajnerët, bashkë me futbollistët e tifozët, ndërsa dhuna ndalon këmbët kur ngjitet lart ngaqë nuk mund të përdoret kundër krijuesve të saj. Ndaj atyre që prishen nga qejfi kur dhuna e menaxhuar me nikoqirllëk është burim fitimi në arkën, ku mungon etiketa “ keto janë para nga gjaku ” …
Sfidanti.al