E habitshme, por e vërtetë: Barnli para Arsenalit, Liverpulit, Totenhemit e Lesterit

Në ndeshjen e fundit të Premier Ligës, ekipi modest i Barnlit mundi 1-0, në fushën e vet, Stouk Sitin dhe, tani, ka 31 pikë mbas 17 ndeshjesh. Ky klub, me atë që po bën në fushë, po tregon, edhe një herë tjetër, se, jo gjithnjë, paratë janë vendimtare që të konkurrosh me dinjitet në Premier Ligën angleze. Tani, Barnli zë vendin e 4-t në klasifikimin e përgjithshëm të saj, vetëm pak pikë mbas Celsit dhe Mançester Junajtidit, ndërsa Mançester Siti ndodhet shumë larg, përpara. Pra, një klub i vogël, si Barnli, është ngjitur në majat e futbollit anglez, duke lënë mbas vetes klube të tillë me emër, si Arsenali, Liverpuli, Totenhemi dhe Lester Siti!

Hera e fundit, kur Barnli ka qenë aq lart në tabelën e klasifikimit të  Premier Ligës, i përket marsit të vitit të largët 1975, kur ai ndodhej në vendin e 3-të.

Barnli, me trajner Shon Dajshin, ka një mbrojtje të shkëlqyer dhe, gjatë këtij sezoni, në tetë ndeshje nuk ka pësuar asnjë gol! Vendi i 4-t në Angli, sikurse dihet, sjell edhe pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve (Champions), kështu që, me të vërtetë, do të jetë çudi, nëse do ta shohim Barnlin e “vogël” në konkurrimin më elitar evropian të vitit tjetër.

Sfidanti.al