Mark Iuliano është një tjetër italian trajner në futbollin shqiptar. Atë e ka sjellë emërmadhi Luçiano Moxhi tek Partizani, dhe kur mendon “rekomandimin” beson se suksesi do të jetë i garantuar. Për fatin e tyre të keq, Agostineli dhe Sormani nuk e patën një fat të tillë! Mladen Milinkoviç nuk është “fytyrë” e re në Superligë, ndonëse e re do të jetë skuadra që ai do të drejtojë, Kukësi në vend të Luftëtarit. Trajnerët e huaj, pra, vazhdojnë të vijnë në Kategorinë Superiore (por, edhe në Kategorinë e Parë, si Ze Maria tek Tirana), pa llogaritur ekipet e ndryshme kombëtare (De Biazi, Tramexani, Reçenti, Panuçi).
Gjithsesi, suksesi i tyre ka qenë i kufizuar për të mos thënë “zero”. i vetmi që mbahet mend të ketë dalë kampion është një malazez me origjinë boshnjake, për të mos thënë një shqiptar i vërtetë, si Dervish “Deda” Haxhiosmanoviç. Përse këta dështojë radhazi? Mos vallë nuk janë aspak të mirë për nivelin tonë? Realiteti thotë të kundërtën, mjafton të marrim shembullin e ish-trajnerit të Tiranës, Blazh Slishkoviç, që vjet doli kampion i Bosnjë-Hercegovinës me Zrinjskin e Mostarit. Atëherë , çfarë?
Historitë për të qeshur e për të qarë nuk kanë fund, për epokat e të huajve, për atë sesi ata nuk jepnin dot maksimumin “shqiptarçe”, pa staf dhe pa kushte (Inzagi kërkoi 8 ndihmës për në kombëtare), dhe sesi ata tradhëtoheshin vazhdimisht nga presidentët kur vinte puna tek rregullat dhe disiplina. Rasti tipik, ai i Sormanit vjet kur u përplas tek Partizani, me Mazrekajn. Ikur trajneri dhe jo lojtari, ndonëse faji ishte i kundërt. Presidentët tanë, ende shqiptarë tipikë (me përjashtim të Dukës në FSHF), kanë në dejet e tyre “kushtrimin e të parëve”, pra mënyrën tipike shqiptare të të sjellurit, që saboton punën e çdo trajneri të huaj, edhe nëse do të kishte qenë Murinjo, Guardiola apo Simeone.
Sfidanti.al