Tirana është kampionia e re e Shqipërisë në futboll, një sukses i arritur dy javë përpara përfundimit të Superligës. Fitorja e Vllaznisë në Shkodër ndaj Kukësit bëri që skuadra kryeqytetase të ketë një epërsi prej 7 pikësh ndaj vendit të dytë, kur në lojë janë edhe 6 pikë. Në stadiumin “Loro Boriçi”, Vllaznia luajti më mirë sesa kuksianët dhe triumfoi me golin e shënuar nga Adili në minutën e 86-të. Një ditë më parë, tiranasit fituan 2-0 ndaj Flamurtarit në kryeqytet, duke arritur në 69 pikë, ndaj 62 të Kukësit.
Ky është titulli i 24-ët kampion për Tiranën në historinë e saj, dhe i pari pas 10 vjetësh. Po ashtu, është një sukses që vjen në një vit jubilar për klubin që feston 100-vjetorin e themelimit. Vllaznia, ndërkaq, ka shpresë për t’iu larguar rrezikut të rënies nga kategoria sepse ka 45 pikë, vetëm 2 pikë më pak se Bylisi i vendit të 7-të.