Partizani i “shënon” dy gola koronaviusit, por sëmundja mbetet sërish në “avantazh”!

Qetësohet disi, por jo plotësisht. Tek Partizani ka lajme të mira lidhur me koronavirusin, pasi lojtarët ende të sëmurë duhet të jenë 3, dhe jo pesë siç ishin deri dje. Vetë klubi kryeqytetas lajmëron se pikërisht dy futbollistët e parë të infektuar, Dejan Boldor dhe Besnik Ferati, tashmë janë të shëruar, siç del nga testimet e dyta të bëra nga autoritetet përkatëse, të Institutit të Shëndetit Publik. Ata u testuan përsë dyti ditën e premte, dhe përgjigjet e analizave dolën negative.

Tek Partizani ende janë të sëmurë Eraldo Çinari, Kristi Kote dhe Esat Mala, të cilët i morën përgjigjet e testeve në 10 korrik, në prag të derbit ndaj Tiranës. Partizani u trondit nga lajmet për virusin në datën 8 korrik, ndaj u detyrua të testonte gjithë skuadrën, stafin teknik dhe njerëzit që kishin qenë pranë ekipit. Pavarësisht mungesave të shumta, të kuqtë barazuan 1-1 ndaj Tiranës, madje duke qenë në avantazh deri në minutën e dytë shtesë, pas golit të shënuar nga braziliani Melo, ndërsa bardheblutë barazuan me rrjetën e të riut Ernest Muçi.

Sfidanti.al