Ai ishte ende pa bërë 10 vjeç, kur sfiduesi i ardhshëm u shpall kampion i Europës. Zllatan Ibrahimoviç lindi në tetor 1981, ndërsa Sinisha Mihajloviç, shënonte ndaj Bajernit të Mynihut dhe triumfonte ndaj Olimpikut të Marsejës, në finalen e madhe të Championsit në 1991, në radhët e Crvena Zvezdës. Më pas, ndërsa Ibra nisi të shkëlqente tek Malmo në Suedi për të kaluar më pas tek Ajaksi në Holandë, rrugën e tyre u bashkuan në Serinë A, dhe pati shkëndija.
Dy personalitete tepër të fortë nuk munduan të përplaseshin në fushë, gjë që kulmoi në një përballje Juventus-Inter në 2005, kur gati u zunë me grushta. Kanë kaluar 16 vjet, dhe në duelin e së shtunës Milan-Bolonja në “San Siro”, Ibra ishte në fushë për vendasit, e Mihajloviç ishte në stol për miqtë.
Si parantezë, shërbeu konferenca për shtyp e trajnerit bolonjez kur ai tha për Zllatanin se “shpresoj që të ketë respekt dhe mëshirë për një të sëmurë me pushime si unë, dhe të mos jetë aq i keq sa zakonisht”. Mihajloviç vuajti nga leuçemia e duket se e ka marrë veten, ndërsa Ibra nuk ngurroi ta përqafonte në stadium, e ta vlerësonte lart me postimin e tij në Instagram.
Ajo që ndodhi në fushë nuk kishte lidhje me respektin e lindur disi vonë mes tyre. Milani nuk pati mëshirë për Bolonjën, edhe pse vetë Ibrahimoviçi ia dëgjoi fjalën trajnerit rival e mik. Golat u shënuan nga lojtarë të tjerë si Zelemekers, Çalhanoglu, Benaser, Rebiç e Kalabria.
Suedezi me origjinë boshnjake ndihmoi në golin e parë, dhe shërbeu asistin për rrjetën numër 4 të realizuar nga kroati Ante Rebiç. Më pas trajneri i tij, Pioli, e zëvendësoi dhe Ibra u zemërua, siç e tregojnë fotot dhe reagimet në rrjetet sociale. Gjithsesi, tekniku i Milanit ka një problem më të madh sesa Zllatanin, pasi klubi ka rënë dakord me gjermanin Rangnik, i cili mund të jetë trajneri i ardhshëm. Vetë Pioli nuk dëshiron të komentojë.
“Jam i lumtur me rezultatet dhe me lojën e skuadrës, – shprehet ai, – më vjen mirë për komplimentet që po na bëhen, por nuk mund të them nëse është kthyer Milani i dikurshëm, pasi llogaritë bëhen në fund. Lojtarët po kënaqen me atë që po bëjnë, ndaj po luajmë mirë dhe po fitojmë. Na dhanë besim fitoret ndaj Lacios e Juventusit, por të vazhdojmë kështu. Sa për Ibrën, jam i detyruar të zëvendësoj, për të kontrolluar energjitë deri në fund”.
Nuk dihet se çdo të bëhet me Piolin, Ibrën e Mihajloviçin pas këtij sezoni, por për momentin ata le të kënaqen me atë që po bëjnë në fushën e lojës.
Sfidanti.al