Pas fatkeqësive të këtyre përmasave, siç ishte tërmeti i së martës, vjen koha e gjithçkaje, siç janë edhe pasgoditjet e shpeshta sizmike, që i detyrojnë njerëzit e tmerruar të lënë shtëpitë e tyre dhe të dalin në rrugë çdo një gjysmë ore. Eshtë koha e solidarizimit të sinqertë me ata që janë në vështirësi, koha e mirësisë, por është edhe moment më i përshtatshëm për t’u shfaqur “piranjat” dhe njerëzit e shfaqeve, këta të fundit, me qëllimin për ta shfrytëzuar situatën për kredo personale.
Në Shqipëri nuk mund të flitet më për sport, në të kundërtën një pjesë e klube janë angazhuar në ndihmë të të prekurve nga tërmeti. Diku kanë liruar ambjentet e tyre për ata që kanë humbur strehat, të tjerë kanë ofruar ndihmë materiale, apo edhe monetare. Ndërkohë që në fushë ka zbritur edhe ekipi i institucionit që drejton futbollin, bashkë me kapitenin e tij dhe ata në fakt nuk kishin se si të mungonin në një rast të tillë. Në fillim veshën tutat e Kombëtares, për t’u bërë më të ndjeshëm për publikun, aq më shumë që ditët përkonin me atmosferën e 107 vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Dhe, pasi hapën bagazhin e një furgoni dhe filluan të shkarkonin me mundim pakot e përgatitura me kujdes në FSHF, veprimin human e shoqëruan edhe me kolonën zanore të presidentit Duka, i cili premtoi se do të ndërtonte tre shtëpi për të prekurit nga fatkeqësia. Kjo në fakt është ndihmë, por edhe një “show” pas miliona eurove të shpenzuara për ndërtimin e një selie komode, që do të shërbejë për të drejtuar këtë futboll, i cili është shumë më i bukur kur nuk luhet.
Por ka edhe një paradoks me këtë bamirësi të stisur. Sipas shtypit, Partizani ka kërkuar fillimisht që derbi i fundjavës së ardhshme të luhet në stadiumin e ri, por mundësisht pa “gjobën” e Federatës, e cila ende nuk e ka vendosur shifrën e haraçit që do të kërkojë për të hapur dyert e “Arenës Private”. Më pas, klubi organizator ka menduar që të ardhurat nga biletat t’i kalojë në formë ndihme për të dëmtuarit nga tragjedia. Por stadiumin jo, është pothuajse “i shenjtë” për t’u përdorur si ndihmë. Mbi të gjitha, fusha e futbollit dhe shkallët janë aksesorët më të parëndësishëm të atij objekti, kështu që Partizani duhet të presë për iniciativën e tij… Ata janë të gatshëm të falin beton, për futboll nuk të ndihmojnë dot.