Kupa e Botës në vitin 2022 në Katar nuk do të jetë si të tjerat. Do të luhet në dimër, që do të thotë në periudhën kur ligat europiane janë në kulmin e tyre. Ish-trajneri i Gjermanisë, Berti Fogts, kërkon nga Bundesliga që ta ndihmojë kombëtaren e Jogi Lëvit, duke ndryshuar kalendarin. “Zgjidhja mund të ishte që Bundesliga të niste më shpejt kampionatin, ose të përcaktonte që të luheshin më shumë ndeshje pas Botërorit”, – u shpreh trajneri që doli kampion i Europës në 1996.
Fogts, kampion i Europës dhe i botës si lojtar (në 1972, 1974), shpreson edhe që vendet e mëdha europiane të bëhen bashkë për të shtyrë datën e nisjes së Botërorit. “Ndeshja e parë e Kupës së Botës parashikohet në 21 nëntor, ndërsa Bundesliga luan ndeshjet e saj të fundit në 11-13 nëntor, – deklaroi ai, – kjo do të thotë se nuk do të ketë kohë për t’u përgatitur. Gjithsesi, Gjermania, Anglia, Franca, Spanja, Italia apo Brazili mund të bëhen bashkë dhe të kërkojnë shtyrje, që ndeshja e parë të luhet në Krishtlindje”.
Sfidanti.al