Kur shkarkohen edhe Xhampaolo tek Milani, kur rrezikojnë edhe Zidan e Valverde, përse të mos hiqen trajnerët edhe në Shqipëri? Ky është arsyetimi më i zakonshëm për të përligjur një tjetër “gijotinë” të stolit në Superligë, madje në stolin më të lavdishëm, atë 24 herë kampion të Tiranës. Ardian Mema nuk do të jetë më teknik i bardhebluve, duke bërë një largim prej zotnie, me marrëveshje, dhe duke mos e rënduar edhe aq shumë klubin nga ana financiare. Ashtu siç i takon një pinjolli të familjes Mema.
Dakord, Tirana “shpëtoi” nga Mema, dhe tani mund të marrë frymë lirisht, por a mund të jemi të sigurt se nuk do të humbasë derbin edhe herët e tjera, nuk do të mundet nga Kukësi, apo nuk do të ketë një disfatë si ajo në Ballsh? Gjasat nuk duken të mira kur mendon se në stolin e saj këta vjet janë ulur trajnerë të shumtë dhe me emër si Daja, Josa e Muça, që kanë fituar shumë tituj në Superligë, po ashtu nuk ia kanë dalë radhazi Magani, Ze Maria e Mema, sa për të thënë disa emra.
Kur një “makine” i ndërrohet kaq shpesh kjo “pjesë këmbimi” dhe vazhdojnë defektet, a nuk është e udhës të shihet për ndonjë problem tjetër? Drejtuesit bardheblu, është e sigurt se nuk e kanë bërë gjumin të qetë edhe natën pas largimit të Memës, dhe kjo pagjumësi është e sigurt se do të vazhdojë.
Sfidanti.al