Duhej të ishte gaz e hare për të zotët e saj, por Arena u bë “pronë” e miqve. Los Anxhelos Klipers triumfoi me autoritet ndaj nënkampiones së NBA-së, Golden Stejtit, duke e mundur me shifrat 141-122 e duke dhënë një paralajmërim për gjithë kampionatin. Pas suksesit në duelin e parë të sezonit, në derbin ndaj Lejkërsave të Lebronit dhe Dejvisit, ja ku erdhi edhe i dyti.
Koui Leonard e ka seriozisht që do sërish titullin. Leonard, kampioni në fuqi me Toronton, luajti vetëm 21 minuta dhe shënoi 21 pikë, duke shtuar edhe 5 topa në tabela e 9 asistë, ndërsa nuk u ndje fare mungesa e Pol Xhorxhit. Paterson shtoi 20 pikë, kroati Zubac 16, Shamet 11, Uilliams pati 22 pikë e Harrell realizoi edhe 18 të tjera. Klipersat janë skuadër e vërtetë!
Natyrisht, Golden Stejti nuk është ai i vjetshmi, pasi Kevin Durant është larguar dhe kapiteni Klej Tompson është dëmtuar dhe ndoshta ka mbyllur sezonin. Vetëm Stefën Kërri (23 pikë) nuk mund të mjaftojë për një skuadër që është në tranzicion, po ashtu as ylli ri i D’Anxhelo Rasëll dhe ai i vjetri, Drejmond Grin. NBA ka sezon të gjatë, por favoriti duket se po njihet që tani, ai është Los Anxhelos Klipers.
Sfidanti.al