Një “blu” si Desai do të marrë në qafë Çelsin në FIFA!

Tifozët e Çelsit e kanë dashuruar dhe adhuruar, pasi ka qenë një legjendë në fushë, por ndoshta do ta kenë marrë inat pas fjalëve të tij të fundit. Marsel Desai, ylli i dikurshëm i Francës, deklaroi në një studio televizive se do të bëjë ankesë zyrtare në FIFA për golin që iu anulua Ajaksit ndaj Çelsit në Champions, ndeshje që pastaj u mbyll 1-0 për anglezët.

“Ky është një rast tipik dhe unë duhet ta denoncoj në FIFA, – tha Desai për “bein sportsin”, – unë jam ambasador i FIFA-s dhe kjo është puna ime. Njerëzit që merren me VAR-in nuk janë kompetentë, ata duhet të jenë arkitektë, nuk mund t’i shohin pamjet për fare pak kohë, por duhet t’i ndalojnë dhe të jenë të sigurt. Duhen 2 minuta që të sigurohesh. Goli që iu anulua Ajaksit ishte i rregullt”. Desai luajti 6 sezone për Çelsin, duke luajtur 222 ndeshje, por tani është në pozicion ku duhet të mbrojë parimet.

Sfidanti.al