Shpëtim Duro si një ilaç për Partizanin, gola..para dhe pas “buke”

S’kishte bërë vaki më parë që një trajner që do të luante kundër Partizanit udhëheqës i klasifikimit, të dilte aq sfidues dhe profetik si Shpëtim Duro i Egnatias. “ Do ta mund Partizanin !” Fjalët e tij në vesh të të madhit dhe plot 3 gola në portën e “demave”. Ata që menduan se Duros i kishte marrë koka erë pasi nuk mund të flitet kaq në hava, u dorëzuan qysh në pjesën e parë, pa pritur fundin e pjesës së dytë.

Shumë pyetje dhe pikëpyetje ngriti kjo ndeshje, por njëra tundonte më shumë: ky Duro, që u shfaq në rolin e Kasandrës, si e dinte fundin e ndeshjes? Mos ka vjedhur “gralin e shenjtë” të Partizanit, ku janë gjithë sekretet dhe misteret e demave, kur ka qënë trajner i tyre. Askush nuk tregon. Por një gjë dihet me siguri: Duro i ka hapur punë vetes me këtë “magji” sepse tifozët e Egnatias u ka mbetur hatri që trajneri nuk u tregoi edhe numrin e golave që do t’i bënin kryesueve të kampionatit. Pale kur shkojnë më tej : po ndeshjen e ardhshme, na zbulon dot rezultatin qysh tani, sepse nuk durojmë dot …

Sfidanti.al