Sa herë që afrojnë Zgjedhjet për fronin e zaptuar të futbollit, FSHF trukohet si bamirëse, lëshon një tymnajë me projekte, te cilat treten nëpër letra për futbollin e fëmijëve, kurse për moshat sipërore bëhet konkrete .. ndahen “lodra” për lojën e burrave! Por, kjo bamirësia e fundit, të lë pa fjalë dhe të bën ta konvertosh atë batutën humoristike nga “Estrada e Ballshit” me ..”Teatrin e FSHF-së”. Tamam këto ditë, ka dalë në qarkullim lajmi-video se FSHF paska bërë një investim dinjitoz duke ndertuar dhoma të reja të zhveshjes për ekipin e Bylisit! Po ta ndiqni videon, s’do ta besoni dot, mu në tokën e naftës, aty ku arbitrave u lejohet të gabojnë edhe pa pyetur, ka mbërritur edhe “floriri” i FSHF-së..investime në formë tullash!
Po pse pikërisht në Ballsh dhe jo gjetiu? Sepse kur afrojnë Zgjedhjet, të parët në listë s’mund të tjerë veç të “persekutuarve ” , atyre që ua kanë futur thelllë në bixhozin e kampionatit , ndaj nuk ua ke besën se ku do ta hedhin apo dredhin votën ! Ju kujtohet disa ditë më parë, kur presidenti Kapllanaj çfarë nuk tha për arbitrat e fushës dhe për “zullumqarët e zyrave ”? O burra t’i bëjmë dhoma të reja për t’u zhveshur , që ditën e votimeve të jenë “ të larë dhe të pastër” para kutisë, që mban futbollin brenda prej dy dekadash, e vetmja lojë që luhet me skemë afatgjate në anët tona, punë e madhe se trukohet edhe kjo.
Sa vite ka që bëhen dhoma të reja, dushe ku në fillim del uji i ngrohtë dhe fusha që duken si të reja, edhe pse plaken brënda natës.Po në Ballsh do të mbajnë tullat e dhomave? Sido që të jetë, po t’i pyesnin vetëm një herë në jetë se çfarë do te donin, ata do të dëshironin më shumë një investim special..shpëlarjen e trurit të sistemit dhe arbitrave , nga sjellja e të cilëve gjithë këto vite, ka dalë edhe barsoleta se në Ballsh edhe mund të mbarojë nafta, por jo mëkatet e arbitrave…
Sfidanti.al