Nuk pritet gjë tjetër përveçse një dënim i trajnerit të Tiranës, Ardian Mema, që hyri në fushë pasi mori karton të kuq, për t’u konfrontuar me arbitrin në përfundim të ndeshjes në Fushë Krujë. Komisioni i Disiplinës mezi i pret raste të tilla kur mund të dënohet një njeri pa “klan” e “pushtet okult”, pjesëtar i një klubi pa përkrahje, megjithëse është më i madhi i futbollit shqiptar.
Disiplina e ka problem kur duhet të dënojë klube me presidentë pranë qerthullit të Federatës, apo kur duhet t’i shkojë deri në fund arsyeve se përse arbitrat bëjnë gabime “njerëzore”, që ngjajnë të telekomanduara, dhe që acarojnë gjakrat. Për më tepër, Federata Shqiptare e Futbollit, përse nuk proteston kur policia sillet dhunshëm ndaj disa djemve sportistë, ndërsa e njëjta polici do të kishte qenë “suedeze” nëse në fushë do të kishin hyrë tifozë vendas, që i kanë shokë e kushërinj?
Presidenti i Federatës, Duka, tha dje se policia deshi të shmangte ndonjë situatë si ajo e Kamzës, meqë stadiumi i Fushë Krujës nuk është në kushte shumë të mira për ndeshje futbolli. Atëherë, përse Federata sillet si Penelopa, herë shthur, e herë thur, hiq licencimin dy apo tri javë më parë, dhe jep licencimin në prag të ndeshjes me Tiranën?
Sfidanti.al