Porfesor Edi Reja, për atë zot mos e sulmo Spanjën..!

Pyetja që dëgjohet më shpesh : Çfarë përfiton Shqipëria nga ndeshja me Spanjën? Pyetja që nuk dëgjohet as rrallë e as shpesh : Po Spanja çfarë përfitimi ka kur luan me Shqipërinë? Sido që të jenë përgjigjet, ajo që na ka ndodhur në ndeshjen e fundit me Spanjën, tamam në Shkodrën ku kemi lindur futbollin, ishte një natë e paharruar për nga vuajtjet.Spanjollët e zaptuan topin në mënyrë plateale, nuk na lanë ta preknim fare, e gëlltitën tërë fushën, dhe skena që përjetuam në atë dreq ndeshje, dukej si një mohim absolut i të drejtave të njeriut të futbollit përgjatë 90 minutave. ..

Edi Reja, sipas zakonit qokatar, nuk do të humbasë rastin pa na treguar përrallën e radhës , pa të cilën nuk na zë “gjumi kuqezi”: “ Do të guxojmë ta sulmojmë Spanjën!” Ishalla ia do puna t’i thotë këto fjalë heretike, sepse me vepra do të ishte tamam si të hyje në kafazin e luanit dhe të filloje ta ngacmoje..!

Dhe si për ters, kjo Spanja e re,e mbushur me “Pedra”, duket shumë e harbuar, që edhe pse ka ndryshuar brezat në krahasim me ata që na lanë 90 minuta “papunë” në Loro Boriçi, ndeshjen me Shqipërinë e kanë si një spot publicitar për t’i treguar botës skeptike se tiki-taka jo vetëm nuk vdes kurrë, por është një stil tollovitës, pasi kokat e kundërshtarit tunden e shkunden edhe më keq se në lojën e ping-pongut..

Sfidanti.al