Po dasma,  a do të bëhen në stadiumin “Air Albania” ?

E patë në cilën fushë luajtën Tirana dhe Vllaznia? Dukej sikur ndeshja luhej në një kohë tjetër, kthim pas  në kohën e ..luftës! Fusha e “Selman Stërmasit”  nuk ishte e denjë as për të mbjellur patate dhe jo të luhej ndeshja që gjoja quhet Superklasikja e Shqipërisë. Një bravo e madhe për “delet “ e Tiranës dhe të Vllaznisë që pranuan ta “kullosnin” topin në një tokë shterpe…

Ka një shprehje të vjetër që thotë se shtetet gjykohen  nga rrugët, lokalet nga tualetet, kurse  futbollin mund ta kuptosh nga fushat ku luhet! Një zot e di pse Tirana dhe Vllaznia pranuan ta luanin ndeshjen mbi një “letër petullash” , në një fushë ku hartat e ndryshme sikur tregonin plagët e futbollit tonë…

Po pse nuk u luajt në “shtëpinë e futbollit” në Air Albania? Ishalla  lajmi nuk është i vërtetë, le të urojmë që të jetë një thashethem i radhës, por flitet se stadiumi “Air Albania” po bëhet gati, po “zbukurohet” për një ndeshje nderkombetare ..bilardo ! Po, po nuk e keni lexuar keq…ndeshje bilardo!

Dhe hajde beso kur mburren e thonë  se është “shtëpia e futbollit” kur i zoti i shtëpisë bredh rrugëve se në stadium luhen koncerte, luhet politikë kur bëhen Kongerse dhe Kuvende, bëhet ndeshje boksi dhe së fundi ..BILARDO !

Na kanë dhënë shpresë se shumë shpejt, Air Albania do të prenotohet edhe për dasma!

Sfidanti.al