Nëse në Korçë, tifozët u përmbajtën për të kontestuar vendimet e dyshimta të kryesorit në ndeshjen kundër Laçit, nuk ndodhi kështu në Kukës dhe Berat. Kjo javë shënoi ngjarje të rëndësishmë ne fushat e futbollit shqiptar ku loja është lënë në mëshirë të fatit dhe atyre 30 apo 40 tifozëve që ndjekin ndeshjet.
Në Kukës, arbitri Shahinaj akordoi një penalti në kohën shtesë dhe zemërimi i vendasve u reflektua në fushë ku një pjesë e tifozëve u futën në perimetrin e ndaluar e madje në shenjë proteste e ekzekutuan vetë edhe 11-metërshin duke e bërë situatën më komike. Në vitin e arritjeve për të cilat FSHF rreh gjoksin, Sylvinho bën mirë të hedhë një sy edhe nga shkallët për të selektuar ndonjë talent të fshehur nga Kukësi por edhe nga Berati ku ndoshta kanë më pak shanse për fanellën kuqezi pasi talentin e shprehun në boks. Si për ironi në mes është sërish emri i Vorës që pak javë më parë luajti në fushën e Fierit ku tifozët e kësaj skuadre bënë për spital arbitrin e katërt.
Në Berat ishin vendasit që snobuan futbollin dhe zbritën në fushë që frustrimin dhe protestën e revoltën e brendshme ta shfrynin kundër kryesorit. A do të ketë një çmim për këto arritje në ceremoninë e më të mirëve të hënën? Ndoshta është i nevojshëm edhe një çmim për shfaqjen më të shëmtuar të vitit 2023.
Nga Pirro Bardhyli