Paska qënë si “Kasandra” dikush nga radhët zyrtare kur në ditët e largimit të trajnerit De Biazi kish thënë këtë frazë që nuk e kapërceu pragun: “ Po ikën vetëm trupi i De Biazit, sepse shpirti ka mbetur pas..”. Kjo frazë pikante, kur e rifreskon sot, vlen si një skedinë e qëlluar në shenjë. Apo kur mëson se ish-trajneri do të rishfaq siluetën në stadium ditën e ndeshjes me Izraelin, duke i dhënë një shkelm ligjit të vjetër, të pashkruar, se trajnerët e shkarkuar nuk kthehen më në vendin e “krimit”. Por, ky De Biazi është ndryshe nga gjithë trajnerët e huaj me të cilët bashkëjetuam, jo vetëm se ka një pasaportë që dikton mall për atdheun e dytë, atë që gjeti pas Italisë. Si mund të mungonte në ndeshjen me Izraelin, aty ku ekperimenti doli nga epruveta , sa futbollistët në fushë më shumë kundërshtonin trajnerin e tyre në stol, të pushtuar nga urdheri i “djallit”, pa iu dridhur qerpiku se dështimi po prekte fundin e detit…
Thuhet rëndom se çdo ndeshje ka historinë e saj dhe gjërat nuk përsëriten në mënyrë binjake , por Xhani De Biazi, nëse do të jetë në stadium për të parë Shqipërinë e Panuçit, ka një mal me arsye t’i kujtohet filmi i dy ndeshjeve kontraverse me Izraelin. Dy ndeshje të cilat nuk ndahen dot nga njëra tjetra, edhe pse me urdhër të “mbretit” duhet kujtuar vetëm e dyta. Më e bukura ishte se në të parën nuk durohej turpi, ndërsa në të dytën nuk durohej lavdia. Dhe sipas zakonit tonë demokratik , që daton me zbarkimin e presidentit Duka, humbjet e mëdha nuk lënë gjurmë , ngaqë ato janë si karemi për fitoret e bujshme që.. vijnë si me porosi. Prandaj, Xhani De Biazit, mos ia merrni për ters kur rishfaqet si fantazmë , sepse do të vijë edhe kur të mos jetë Panuçi , ngaqë është njeriu i huaj që përfioi dhe përfiton më shumë nga veset tona. Veçse nuk është borxhli si disa të tjerë kur ikën.. Kush tjetër veç Xhanit do të ishte kaq i shkathët dhe i besueshëm sa biletën false me të cilën kaluam portën për të hyrë në Europian, do ta tregonte si të ishte e vërtetë . Aq sa “bota” u pendua përkohësisht, sa zgjati euro-gara, se shqiptarët ku kanë topin tek këmbët, në kokë zoterohen nga ..hilet!
Gezim Sinemati