Për “ksenofilët” albanezë, kur shtiren më katolikë se Papa

Nuk ka dyshim se nuk jemi ksenofobë,dmth, armiq të të huajve, si komb, përkundrazi. Dhe mirë bëjmë, megjithëse të huajt  nuk na kanë dashur e vazhdojnë të mos na duan aq sa ne i duam…

Por në sport nuk mund të jemi aq “ksenofilë” dmth, të mirë me të huajt, sa të shkojmë deri në keqtrajtim të vetës.

Kur shikon se çfarë ka ndodhur me arbitrimin në ndeshjen e Kombëtares me Italinë, në Palermo, e kupton se ky pasion për të mbrojtur të huajt që na bien në qafë, mund të bjerë deri në nivelin e ngjalljes se krupës…

Një arbitër që me shumë “profesionalizëm” e pilotoi ndeshjen drejt një rezultati të sigurt për Italinë, duke u bërë , me shumë dëshirë, “viktimë” e teatralitetit profesional të tepruar të futbollistëve italianë, apo duke mbyllur sytë ndaj një pozicioni “jashtë loje” të pastër në rastin e golit të dytë, është marrë në mbrojtje nga homologët shqiptarë duke demostruar edhe një herë se klanizmi profesional qënka më i fortë se patriotizmi sportiv…(!?)

Natyrisht , arbitri nuk gaboi haptazi, por kur jemi në këto kushte nuk mund të konceptohet që të merret në mbrojtje nga shqiptarët. Nuk po them se duhet “kryqëzuar”. Por kur shikon se shqiptarët bëhen “më katolikë se Papa” dhe pohojnë me vendosmëri se arbitri ka patur të drejtë kur “mashtrohej” nga kundërshtarët tanë  atëherë habia kthehet në neveri.

Neveri për këtë pozicionim klanor në dëm të patriotizmit, neveri për këtë nënshtrim ndaj çdo vendimi në dëm të Kombëtares tonë, kur jepet nga “kompetentë” të huaj, si në rastin e kartonit të kuq ndaj Gjimshitit me Izraelin…

Na mjaftojnë të huajt e shumtë që kemi kundër. Këta shqiptarët “ksenofilë” nuk ka pse i shtohen asaj lukunie. Nëse nuk e mbrojnë dot Kombëtaren, të mbyllin gojën.

Heshtja, në këtë rast,  është kapak floriri për llamarinat e ndryshkura “profesionale”…

Artan Shyti