Më mirë “magjia” me frikë  e  presidentit  Gjici apo loja me  milionat ?

Një vit më parë, kur Kukësi po humbiste një ndeshje në pjesën e parë, ndodhi një “magji” në pushimin 15 minutësh. Një magji  trazuese, sa  në pjesën e dytë aktorët i vodhën rolet njëri- tjetrit: fituesi u bë humbës dhe humbësi  u shpall fitues! Ç’kishte ndodhur  në dhomën e Kukësit? Kishte hyrë presidenti Gjici, fjalimi i tij s’kishte qënë as  i ëmbël dhe as  mallengjyes , thuhej  se fjalët ishin nga ato që të dridhnin  leqet e këmbëve, nga ato që futbollistët nuk dëgjojnë edhe në ..ëndërr!  Në fushë ndodhi haleluja,  ekipi i pjesës së dytë “plugoi” fushën, e zhyti edhe  kundershtarin,  sikur nuk kishte lidhje gjaku me ekipin e 45 minutave të para…

Po këtë sezon, pse  Kukësi ka humbur “magjinë” ?  Këtë e spiunojnë  edhe shifrat, kur në 7 javë ekipi ka marrë vetëm 10 pikë nga 21 që ishin në valle. Dëgjohet  se presidenti Gjici nuk paska  zbritur në “tempullin” e tij dhe ekipi ka prekur fundin e detit. Një zot e di ç’ndodhi  në dy javët e fundit,ku fshikulluan  dy humbje,  ku  futbollistët e trajnerit Shpëtim Duro  ngritën pa teklif  flamurin e bardhë në fushë , duke ngjallur fantazmat  me sjelljen e tyre. Por, si për mrekulli,  këtë javë, në prag të ndeshjes me Skënderbeun, dëgjohet zëri i “magjistarit”, presidentit Gjici,  që nuk është aq i frikshëm si një vit më parë:

“ Nëse fitoni tri ndeshje me radhë, atëhere do të meritoni një premio të majme”.  Siç e do zakoni në anët tona, flitet për 15, apo për 20, madje  edhe për  30 milionë lekë,vetëm e vetëm  që çunat të flakin uniformën e gjumit dhe të dëshmojnë se kur flitet me gjuhën e milionave, me gjuhën unikale të futbollit të sotëm, gjërat përmbysen si me ..magji!

Sfidanti.al