Kur e dëgjon të thënë pa pikë teklifi, të duket se të bënë veshët.
Pastaj kur merr vesh se qënka marrë leje edhe në Ministrinë e Jashtme dhe në atë të Sportit, habia kthehet në status mendor.
Duke pranuar injorancën time, nuk e dija që paska edhe Lojra Olimpike Islamike. Duket e pakuptimtë në përmbajtje dhe konceptim, por derisa i bëjnë, kanë një qëllim. Por, po të vazhdohet me këtë llogjikë… i bie që të kemi nesër “lojra katolike”, pasnesër “lojra ortodokse”, Bektashinjsh apo protestantësh…
Problemi im është se përse duhet të marrim pjesë? Ose për të qënë më të saktë, kush nga ne do të marrë pjesë”?
A lejohen të marrin pjesë sportistët katolikë!? Apo duhet që përpara se të shkojnë në lojra sportistët tanë të deklarojnë përkatësinë fetare!? Nëse kemi një kampion me përkatësi jo myslymane, lejohet apo jo të marrë pjesë?
Unë nuk e kam të qartë se cilat janë vlerat sportive të kësaj pjesmarrje. Pashë që në një nga ceremonitë e hapjes së Lojrave ishte stilizuar vendi i shentë i myslimanëve, Meka, dhe Guri i Mekës ishte vendosur në mes të stadiumit, me gjithë sportistët që vinin rrotull tij.
Duke respektuar maksimalisht fenë myslymane dhe të gjithe fetë e tjera besoj se pjesmarrja e Shqipërisë në këto lojra duhet rikonsideruar edhe një herë me kujdes.
Ligji Shqiptar i Sportit në nenin 5 pika 3 thekson” Ndalohet diskriminimi ne veprimtaritë sportive për shkaqe si bindjet politike, fetare…etj”.
A mos vallë po e shkelim këtë ligj duke marrë pjesë në një aktivitet që seleksionon, pra “diskriminon”, pjesmarrësit bazuar mbi përkatësinë fetare?
Ndoshta e gjithë kjo është një shqetësim i tepruar, por përshtypja e parë që të lë ky lajm të detyron në këtë reflektim. Sporti nuk duhet të përfshihet nëpër këto klasifikime, aq më tepër në një botë që , edhe pa sportin, është ekstremisht e ndarë rrezikshëm mbi baza fetare.
Nuk besoj se ja vlen barra qeranë…
Artan Shyti