Tatiana Kalderon! A do jetë femra e parë në Formula 1 në 40 vjet?

Gratë dhe Formula 1? Cili mund të jetë kombinimi i këtyre dy fjalëve, që në dukje janë kaq të ndryshme? Shumëkujt i shkon mendja tek vajzat-kukulla, që shërbejnë vetëm për sfond të kampionëve dhe të reklamave të kompanive të motorëve apo të sponsorëve, veçse lajmi i fundit nga kjo botë e egër e shpejtësisë përmban fjalën “pilote”. Kjo pilote quhet Tatiana Kalderon, mbush 24 vjeç në 10 mars të këtij viti, dhe është pajtuar nga skuadra Zauber si pilote ndihmëse. Nëse njëri nga pilotët e Zauberit ka problem, Tatiana do të jetë gati për të marrë pjesë në një Çmim të Madh.

A do të ishte hera e parë? Përgjigja, çuditërisht, është “jo”! Tatiana do të jetë e para në më shumë se 40 vjet, por jo e para në mënyrë absolute. Femra që me krenari e mban këtë rekord quhet Maria Tereza de Filipis në vitin 1958. Sot, ajo është një supergjyshe në moshën 89 vjeç, por ende gjallë dhe e fortë.

Maria u ndalua të vazhdonte karrierën që e donte aq shumë, madje u ofendua me shprehjen “e vetmja helmetë që duhet të mbajë një grua, është ajo e tharëses së flokëve”, gjë që u tha nga një drejtues në Francë. Kjo na ndihmon të kuptojmë se çfarë prapambetjeje kishte shoqëria europiane në vitet 50-të, qoftë edhe në një vend aq të përparuar sa Franca .

Lela Lombardi, një tjetër italiane, hyri në gara në vitet 1974-1976, duke fituar në një rast edhe pikë, duke dalë e gjashta. Ajo është e vetmja vajzë që ia ka dalë, ndërsa në 1976 ishte hera e parë dhe e vetme që garuan dy femra në Grand Prix. Bashkë me Lombardin ishte edhe britanikja Divina Galisa. Të shohim tani se çdo të bëjë Tatiana.

Sfidanti.alformula 1 tatiana1