Levan Kaladze debuton si profesionist me fanellën e klubit të babait

Një moment emocionues dhe i mbushur me simbolikë ka ndodhur së fundmi në futbollin gjeorgjian. Levan Kaladze, djali i ish-mbrojtësit të famshëm të Milanit dhe aktualisht kryetarit të Bashkisë së Tbilisit, Kakha Kaladze, ka debutuar si futbollist profesionist me fanellën e Samtredias, pikërisht klub ku kishte nisur edhe rrugëtimin i ati.

Levan, i lindur në Milano më 14 korrik 2009, luajti për herë të parë në ndeshjen e Kupës së Gjeorgjisë kundër Odishit (0-3), duke hyrë në fushë në minutën e 93-të pas golit të tretë të skuadrës.

“Po prisja momentin e duhur dhe një avantazh të sigurt që ‘Bubu’ të bënte debutimin e tij”, tha trajneri italian i ekipit, Eugenio Sena. Ai shtoi gjithashtu se Levan është një lojtar i majtë natyral, që, si babai i tij, luan si qendërmbrojtës, por mund të aktivizohet edhe si mbrojtës i majtë apo mesfushor mbrojtës.

Por ajo që e bën debutimin edhe më të veçantë është emri që mban: Levan. I riu është pagëzuar me emrin e xhaxhait të tij, vëlla i Kakha Kaladzes, i cili u rrëmbye në vitin 2001 kur po dilte nga fakulteti i mjekësisë në Tbilisi dhe u vra mizorisht. Trupi i tij u gjet pesë vite më vonë nga hetuesit e FBI-së në periferi të kryeqytetit gjeorgjian. Katër persona u arrestuan në vende të ndryshme (Francë, Rusi, Zvicër), ndërsa ekzekutori u dënua me 25 vite burg.

Kakha Kaladze, në një rrëfim për ‘La Gazzetta dello Sport’, kujton se gjatë asaj periudhe të errët ka marrë telefonata të shumta nga persona që pretendonin se mund të ndihmonin në lirimin e të vëllait: “Koha kaloi, qava, u dëshpërova, më pas u zemërova e fillova të qaja sërish. Na telefononin vazhdimisht për para; disa shtirreshin si ndërmjetës duke thënë se mund ta lironin. Dhe paguam.”

Sot, historia merr një kthesë të re. Levan, i gjatë 1.92 metra dhe tashmë pjesë e përfaqësueses U-16 të Gjeorgjisë, ka filluar të shkruajë kapitullin e tij. Me një trup në zhvillim dhe një potencial të madh, ai mund të bëhet një emër i rëndësishëm në të ardhmen, si në fushën e lojës, ashtu edhe në kujtesën kolektive të një familjeje që ka përjetuar si lavdi, ashtu edhe tragjedi.

sfidanti.al