Neymar mund të jetë në prag të një tjetër transferimi të madh në karrierën e tij, këtë herë drejt një klubi që do të zemëronte thellësisht ish-tifozët e tij. Sipas raportimeve nga TyC Sports, sulmuesi brazilian është në bisedime me Marseille, një lëvizje që do të trondiste jo vetëm futbollin francez, por veçanërisht tifozët e Paris Saint-Germain, rivalë të përbetuar të Marseille në “Le Classique”. Pas një periudhe të pasuksesshme në Arabinë Saudite me Al Hilal, Neymar u rikthye te klubi i fëmijërisë, Santos, me synimin për të rifituar formën përpara Kupës së Botës 2026. Megjithatë, aventura e tij në Brazil ka rezultuar zhgënjyese. Santosi ndodhet në zonën e rënies nga kategoria dhe raportet e Neymar-it me tifozët janë përkeqësuar. Pas humbjes së fundit ndaj Internacional, ai u pa duke debatuar me një tifoz në shkallë, skenë që vetëm sa shtoi tensionet.
Edhe pse Santosi i ka zgjatur kontratën deri në fund të vitit 2025, Neymar shihet i gatshëm të largohet dhe të rikthehet në Evropë. Marseille, që do të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm dhe drejtohet nga trajneri ambicioz Roberto De Zerbi, përfaqëson një mundësi tërheqëse. Klubi francez ka në përbërje emra të spikatur si Mason Greenwood, Adrien Rabiot dhe Amine Gouiri dhe një ambient ku Neymar mund të rigjejë shkëlqimin. Por një kalim i mundshëm te Marseille do të kishte një kosto të lartë emocionale për PSG-në dhe tifozët e saj. Neymar ishte transferimi më i shtrenjtë në histori kur iu bashkua Parisit nga Barcelona për 222 milionë euro në vitin 2017, ku fitoi pesë tituj të Ligue 1, por dështoi të fitonte Champions League-n e shumëdëshiruar. Një kalim në jug të Francës, në shtëpinë e rivalit historik, do të ishte pa dyshim një nga lëvizjet më të diskutueshme të verës. Neymar ka ende për të dëshmuar dhe Marseille mund të jetë skena ideale për këtë.
sfidanti.al