“Loja” me 3 vite burg: shpikësit e dhunës, presidentët, dolën si engjëj me shef Edin!

3 vite burg për ata që do të shkelin fushën! Kjo frazë e kryeministrit Rama në takimin me presidentët e futbollit, ka bërë më shumë efekt sesa premtimet për lumturinë financiare që pritet të sjellë e ardhmja politike në Superligë! Mos janë shumë apo mos janë pak tre vite burg? Ngaqë jemi shumë të përkulur ndaj politikës, na duket sikur ajo që dëgjuam nuk ka më nevojë të diskutohet as nga kopetentët e masës së dënimit. Sidoqoftë, me këtë rast, le të kujtojmë një nga dhunimet më historike të fushës, kur një tifoz në prag të ndeshjes Shqipëri – Gjermani në vitet 80-të, kapërceu “kufirin”, telat e stadiumit, vrapoi drejt Rumeniges vetëm për një puthje ! Tifozin e zaptuan policët, e kishin rrahur në Rajonin e Policisë dhe kur kishte mbaruar ndeshja e kishin liruar me pyetjen : po tani, çfarë mendon për atë që bëre?
Tifozi, gati i tredhur pas drurit, zgjodhi këto fjalë: “ Nuk do ta puthë më Rumenigen…”
Në vitet e sotme, puthja e stilit “Rumenige” ka vdekur në anët tona dhe ata që hyjnë kanë më shumë zell për të ushtruar dhunë sesa ..dashuri, si dikur baballarët e tyre ! Ndaj, 3 vite burg për ata që besojnë se arbitrat, kur ta bëjnë borxh, meritojnë të zdrugohen, nuk besoj se janë pak. Kur zoti Rama përmendi 3 vitet e dënimit për agresorët, ata që vijnë nga populli i futbollit, presidentët dukeshin si engjëj që kishin zbritur vetëm për paqe në atë sallë. Aq të pafajshëm në ushtrimin e zanatit të tyre, sa thoje me vete shyqyr që shef Edi nuk dha burg edhe për ata që zbresin në pushim për të “puthur” ..arbitrat! Prandaj ishte tepër prekës momenti në fund të takimit, kur zoti Rama me sy u thoshte presidentëve : “ Tani luani rehat, populli urtesohet kur dëgjon..burgun!”
Sfidanti.al