Lëreni Roshin të gëzojë fejesën, “dasmat kuqezi” kanë Odise tjetër…

Le të kujtojmë një anektodë humoristike, për “nder” të Kombëtares kuqezi, e cila sa herë dorëzon  armët në fushë, vesh rrobat e Nastradinit për  përrallën e radhës. Vite më parë, kur magjistari Nadir do të hidhej nga maja e hotel 15-katëshit, siç thirrej Hotel “Tirana”, dikush pyeti shokun e tij me dyshim:

“ A u hodh vërtetë Nadiri nga 15 katëshi?” Përgjigja  mbetet epokale: “ Sa mban ky popull..!” Edhe populli kuqezi , sidomos në këto dy dekada, ku futbolli fryhet dhe shfryhet si me kurdisje, ka treguar me vepra se i ndizet frymëzimi  nga përrralla në përrallë…

Trajneri Reja paska dënuar “senatorët” e Kombëtares Hysaj, Balaj, Roshi dhe Cikalleshin duke i lënë jashtë listës së Kombëtares. Ç‘mëkat kanë bërë për të merituar përjashtimin ? Sebep qënka fejesa e Roshit, një ditë para ndeshjes me Lituaninë,  ndeshja ku s’ka ftesë për  fejesë apo dasmë që të lajë hesapet me dyshimet. E kërkon fajtorin në fushë, por mund ta gjesh në stol, mund ta gjesh në tribunë, mund ta gjesh edhe më lart!  Senatorët e paskan tepruar aq shumë  në fejesën e Roshit, sa të nesërmen e ndeshjes me Lituaninë, Hysajt ,për të cilin thuhet se është syri dhe drita ekipit , dezertoi duke lënë topin të arratisej në portën tonë, ndersa  veten e hodhi me “sakrificë” brenda rrjetës…

Çfarë fati për Strakoshën, i cili  nuk e teproi tek fejesa e Roshit, por ama të nesërmen, edhe pse ishte esëll .. ia mbathi nga porta sikur ta kishte pickuar vetë ..djalli . Tani, kur dëgjon, se Edi Reja,  babaxhani me mbi 1000 ndeshje në Serinë A, nuk do t’i falë më tradhëtarët e disiplinës dhe të ..fushës, të “mbushen” sytë me lot.  Po të jetë e vërtetë, është një alibi tipike  kuqezi!  Nga ato që meritojnë muzeun e paudhësive , pasi Reja “e dinte” që do ta   tradhëtonim  Panuçin në ndeshjen me Turqinë,  kurse  tani.. e gënjeka  mëndja se tradhëtarët po i gjen në fushë dhe jo sipër kokës së tij!

Sfidanti.al