Lepuri i frikës për klubet është vrarë , por kanë paguar qimet e kokës

Në foto është ekipi më i pasur, më i lumtur, anëtaret e Komitetit Ekzekutiv, me kapitenin e tyre të paperëndueshëm, presdientin Duka. Një ekip që u vetëquajt “magjik” në Europian, dhe tani pas avullimit të 4 milionë euro tw klubeve, duhet të zbulojnë “magjinë e zezë”. Si fillim, një pyetje: A mund të prishet harmonia e familjes së futbollit për 4 milionë euro? Një pyetje e lajthitur në një vend, ku kampionati mbahet gjallë me borxhe dhe me pikatore, për të mos thënë se sa më shumë varfërohet ai,  aq më mirë për drejtuesit, që notojnë në para dhe hedhin kocka për të shtuar ushtarët e bindur. Kjo e fundit, që ka plasur me 4 milionë euro, është  si me porosi për të filluar ndryshimi. Një ngjarje e pazakontë, me siguri do të jetë edhe emancipuese, edhe pse i gjen klubet në kulmin e mjerimit ekonomik dhe të rraskapitur për meritë të sloganit “përça e sundo” të Federatës. A mund të jetë çmimi i bashkimit të klubeve shuma prej 4 milionë euro.  Rebelimi është unikal në llojin e vet dhe duket qartë se klubet, edhe pse e kanë ndier dorën në xhepin e tyre, jo të gjithë gjejnë fuqi te bertasin.

Partizani ka hedhur dorashkën duke kërkuar transparencë, një cilësi e munguar qysh në lindje nga Institucioni, ose do ta çojë në gjyq FSHF-në, e cila paska  notuar me paratë e tyre, dhe bënte xhelatin financiar duke i flakëruar me gjoba, me kërcënime financiare, me dënime kolektive sa dhuna ishte e mirëpritur  ngaqë konvertohej në para. Edhe klubi i Teutës ka dhënë një version të besueshëm kur ka deklaruar se do t’i drejtohet zyrave të UEFA-s për të zbardhur  të vërtetën, lidhur me paratë që prej më shumë se një dekadë dërgohen dhe avullohen në mënyra të tjera.  Po kontrollet që ka bërë UEFA, paskan qënë një alibi e komanduar? Dyshimi shkon edhe lart..për të zbritur deri poshtë, tek  ata që nuk kanë dëshirë të kontrollohen dhe në mënyrë patologjike kërkojnë të kontrollojnë  varfërinë e tjetrit. Sikur është shkruar në një gur thënia e presidentit tonë, atëherë,  sapo kishtë vënë këmbën në tokën e futbollit: “ Janë kaq të varfër njerëzit e futbollit, sa me ta mund të bësh çudira me ta”. Shumë e vertete edhe pse e hidhur. Çudia e fundit, sapo ka ndodhur dhe klubet  nuk mund të flakin letargjinë klasike, vetëm me thirrjen rebele: “ Ku janë paratë tona? Do shkojmë në gjyq”.

Sfidanti.al