Me barazimin e fundit me Malagën, Barcelona ka vendosur një rekord ndryshe nga ato që na ka mësuar. 26 pikë në 12 javë dhe Barcelona e trajnerit Enrike po tregon “klasin” se mund të krahasohet me Barcelonën më të keqe në fillimet e kampionatit: 12 javë kampionat dhe 26 pikë të mbledhura. Na kishte mësuar me rekorde ekipi katalan, dhe pa Leo Mesin në fushë, dukej si një ekip tepër i dëshpëruar.
Dy humbjet me Alavesh dhe me Celtën e kanë ndihmuar ekipin e Luis Enrikes për të prekur një tokë të panjohur prej vitesh. Shpeshherë, të hutuar nga gjestet e bukura të treshes MSN, kemi harruar edhe shifrat që zbulojnë një minikrizë të ekipit. Kanë humbur 10 pikë nga 36 pikë të mundshme në këtë fillim sezoni, duke marshuar pa frikë drejt rekordit negativ të Rajkardit më 2007-2008-tën me 24 pikë në 12 javë.