Ky ndryshon Superliga me kampionatin e Kosovës? Mbyllja gojën Mezanit!

Ky Mezani, trajneri i urgjencës në Superligë, të cilin e vinin edhe prapa liste, tani që është në stolin e Gjilanit, sikur po e tejkalon kufirin e lejuar të së vërtetës. Në një intervistë të dhënë ditët e fundit, Mezani flet si “lab”, pa dorashka, duke zbuluar se në kampionatin e Kosovës  ka një presion të admirueshëm, ai që vjen nga vetë loja dhe tifozët,  dhe mungon presioni  “mesjetar” i presidentëve. Mezani  nuk e thotë hapur se ka shpëtuar  nga  “ligji i xhunglës” në  Superligë, ku trajnerët shkarkohen me pakicë dhe me shumicë , si një javë më parë,  por tregon se me Gjilanin ndihet i rilindur për shumë arsye.

Ekspertët tanë kur pyeten për nivelin e kampionateve midis dy “vëllazërive”, me zë të lartë betohen se Superliga as nuk mund  të krahasohet me kampionatin e Kosovës. Por, ky opinion, duket si një finte apo një driblim i qëllimshem,  kur mëson se trajnerët tanë që janë ulur në stolat e këtij kampionati janë më të lumtur në anën profesionale, madje e bëjnë vetë formacionin.  Cili  është sekreti i kësaj ndasie ? Mezani thotë se futbollistët janë të motivuar për të bërë më të mirën në fushë , ndryshe nga  tanët, që motivohen edhe për të larguar trajnerët.  Jo vetëm Mezani, por dhe trajnerët e tjerë,ata që tregojnë  me zë të ulët, thonë  se rezultati i fushës nuk është përrallë për tifozët dhe  e fundit..rrogat nuk i mban mend në kokë, sepse i merr në dorë!

Sfidanti.al