Në 10 vjet me radhë ka shënuar gati gjithnjë 50 gola e më shumë në secilin prej tyre. Lionel Mesi e arriti shifrën 50 për 2019-ën, duke konfirmuar se mbetet sërish në nivele stratosferike, pavarësisht se vitet vrapojnë përpara. Vetëm në 2013, i mbiquajturi “Pleshti” shënoi “vetëm” 45. Me një “alien” të tillë, Barcelona sërish shpreson për tituj të mëdhenj, edhe pse skuadra e Ernesto Valverdes nuk bind që nuk bind. Le të mos marrim për bazë fitoren 4-1 ndaj Alaveshit në “Kamp Nou”, një detyrë fare e thjeshtë, por të kujtojmë vuajtjet ndaj Realit, si dhe katastrofat e sezoneve të kaluar ndaj Romës e Liverpulit në Champions.
Gjithsesi, me Lionel Mesin në ekip je vazhdimisht pranë trofeve. Kapiteni i dha zgjidhje ndeshjes, dhe jo vetëm me golin e tij për 3-1, por sidomos si “regjisor” dhe si “metronom” i skuadrës, duke marrë pjesë në çdo aksion. Falë tij, treshja e sulmit “MSG” shkëlqeu, me Grizmanin e Suarezin që shënuan nga një herë. Uruguajani ishte gjithashtu i shkëlqyer, pasi shërbeu 3 asistë, ndërsa Mesi garantoi harmoninë duke i lënë penalltinë, ashtu si Lukaku për Espoziton tek Interi.
Valverde u shpreh ambicioz pas ndeshjes, duke thënë se “në 2020, do të kërkojmë të fitojmë çdo ndeshje e çdo titull, pasi kështu do të jemi më të qetë”. Trajneri garantoi se Arturo Vidal dhe Karles Alenja nuk do të largohen nga Barcelona në janar.
Sfidanti.al