Antetokumbo shkëlqen në mbrëmjen e Hardenit dhe Leonardit!

Ishte natë yjesh në basketbollin amerikan dhe njëri prej tyre sërish e dha shembullin, ndonëse luajti pak. Janis Antetokumbo u la në fushë vetëm 26 minuta (nga 48 të mundshme) prej trajnerit të Miluokit, veçse edhe kaq ishte boll për të bërë diferencën. Ylli me origjinë nigeriane shënoi 22 pikë, kapi 11 topa në tabela e shërbeu 10 asistë, për tripëll dabëllin e tretë të sezonit. Kapiteni i Miluokit vodhi edhe 2 topa në të famshmin “Medison Skuer Garden”, ndërsa skuadra e tij triumfoi ndaj Nju Jorkut, 123-102. Kjo do të thotë 26 fitore e 4 humbje për Baksët (Bucks), bilanci më i mirë i sezonit në NBA.

Nata e yjeve nuk ishte vetëm për Antetokumbon. Xhejms Harden shënoi 47 pikë në fitoren e Hjustonit 139-125 në fushën e Feniksit, duke u ngjitur në vendin e katërt në renditjen e të gjitha kohëve të lojtarëve që shënojnë të paktën 40 pikë në një ndeshje. Po ashtu, Koui Leonard shkëlqeu në fushën e ish-ekipit të tij, San Antonio, ndërsa Klipersat triumfuan 134-109. Leonardi shënoi 26 pikë, kapi 7 topa në tabela, shërbeu 9 asistë dhe pati 4 vjedhje topi, në 27 minuta lojë.

Sfidanti.al