Zirkze entuziazmon tifozët, por Bajernit i duhet “pazar” në janar!

Për të dytin sezon radhazi nuk doli kampion i dimrit dhe kjo tregon diçka. Bajerni i Mynihut do të duhet të bëjë “remuntadë” në fazën e dytë, edhe pse tifozët janë të entuziazmuar nga ajo që kanë parë në dy ndeshjet e fundit. Arsyeja për lumturinë e tyre ishte Xhoshua Zirzke që shënoi për të dytën herë radhazi, me të hyrë në fushë. Zëvendësuesi 18-vjeçar shfrytëzoi asistin e Tomas Mylerit duke shënuar golin e parë në 85’, një lehtësim i madh për publikun bavarez, ndërsa ndaj Volfsburgut u fitua 2-0.

Gjithsesi, përtej fitores dhe talentit të ri, ka arsye për shqetësim. Havi Martinez u dëmtua sërish, dhe ekziston frika nëse mbrojtja do ta përballojë fazën e dytë. Me largimin e Humelsit, çdo lëndim është një alarm, dhe për momentin jashtë fushe janë edhe Hernandez e Zyle, dy qendërmbrojtësit e tjerë. Me gjasë, Bajerni duhet të kërkojë përforcime në janar, ndonëse nuk dihet nëse do të mund të gjejë lojtarët që i duhen.

Sfidanti.al