Emanuel Egbo do të thotë bekim, do të thotë fat, pra, do të thotë edhe …titull kampion! Në një intervistë në ekran, trajneri i Tiranës, Emanuel Egbo, ka zbuluar se ai nuk është thjesht një trajner i zakonshëm portierësh dhe kthesa e Tiranës nuk është një hardallisje pa shkak. Egbo, vetëm Egbo e ditka, se triumfi në Derbi, triumfi ndaj krizës dhe paqja në shpirtin bardheblu kanë ardhur më shumë nga qielli sesa nga toka. Egbo paska “folur” me Zotin para ndeshjes Derbi dhe Ai i ka thënë se gjërat do të ndryshojnë kryekëput, madje në fund do të jetë i lumtur. Kur dikush e ka ngacmuar Egbonë se përse Zoti në këto 5 vite, ku Tirana ka provuar trajnerë me emër nga jashtë dhe nga brënda, nuk i ka dëgjuar thirrjet e tyre, nigeriani jep një shpjegim bindës, që lind nga besimi..
“ Unë e kam emrin Emanuel dhe në Nigeri, në vendin tim, ky emër është shumë i lidhur me Zotin. Lum ata që mbajnë një emër të tillë,sepse janë të zgjedhur ..” Siç duket, edhe presidenti Halili, nëse do të kujtoni fjalët e tij pas fitores në Derbi, më në fund ka besuar se mrekullia do të vinte nga qielli, pasi nga toka derbi kishte qënë një betejë e humbur ende pa filluar. Dhe në qoftë se besojmë tek kjo mrekulli, cili president , sidosmos kur është besimtar, do ta këmbente fatin e bekuar që vjen nga një Emanuel i zgjedhur , krejt ndryshe nga gjithë trajnerët e tjerë , që edhe pse kanë zotësi profesionale më të shquara se Egbo, u mungon diçka supreme, që nuk duket, por është dhuratë nga..lart!
Sfidanti.al