Stadiumi u ndërtua për të qenë frika e gjithë botës, dhe në pjesën më të madhe të historisë e respektoi famën e tij. “Santiago Bernabeu” do të thotë shtëpia e Realit, pra “goja e ujkut”, dhe skuadrat udhëtuese vuajtën shumë sidomos në vitet 80-të, e pastaj nga fundi i viteve 90-të deri më sot. Gjithsesi, 2019-ta “ha bukë veç”, veçse është “bukë e hidhur”, një “bukë turpi”. Në këto 365 ditë, Reali provoi disfata të rënda, si ndaj Sociedadit në janar, ndaj Gironës (1-2) e sidomos kundër Barcelonës (0-3 për kupën) në shkurt.
Vazhdoi marsi me humbjen tjetër në Madrid ndaj Barcelonës (0-1) që largoi çdo shpresë për titullin kampion, por u arrit kulmi me katastrofën 1-4 ndaj Ajaksit në turin e dytë të Championsit. Pas fitores 2-1 në ndeshjen e parë, madrilenët e trajnerit Solari u dorëzuan pa kushte. Me kthimin e Zidanit gjërat sikur u përmirësuan dhe pati vetëm një humbje 0-2 ndaj Betisit, ku në stadium ishin vetëm 50 000 tifozë, nga 80 000 që është kapaciteti. Gjatë fazës së parë të këtij sezoni ka pasur disa barazime që kanë prishur punë, siç ishte i fundit (0-0) ndaj Bilbaos.
Sfidanti.al