Në mesjavë, klubet shqiptare pjesmarëse në Europa League kaluan turin e parë të edicionit dhe meqenëse gjithmonë kemi dëshirë të na i shumëfishojnë arritjet, fillimisht pranuam të na thonin që ky ishte një sukses historik. Ndërkohë që edhe shumë vite më parë, duke arrdhur më pas në kohët e tanishme, skuadrat tona kanë kaluar ndonjë tur kualifikues në kompeticionet europiane, madje ndonjëherë edhe më shumë se një, por këtë rradhë, e veçanta ishte se këtë sukses minimal e arritën të katërta njëherësh, duke përfshirë këtu edhe Tiranën që mbërriti nga Champions. Megjithatë, efekti ishte shumë i madh, aq sa vetë presidenti Duka ishte në stadiume, në harkun kohor të pak ditëve, ndërsa Shulkut iu thye vazo e goglave, ndoshta nga pasha e rëndë e emrave që mbante brenda.
Por kjo ishte vetëm faza e parë e delirit tonë, sepse më pas filluan informacionet standarte. Për të konkretizuar me shembuj bindës, pse gushti i këtij viti për ne do të mbetet një muaj heroik, u fillua krahasimi i buxheteve me ato që kishin në dispozicion kundërshtarët tanë dhe rezultati ishte mbreslënës… për hir të fanelave respektive, futbollistët tanë kishin injoruar milionat e kundërshtarëve. Ndërsa faza e dytë është edhe më spektakolare , ndërkohë që vazhdon ende. Tashmë të gjithë kanë mprehur lapsin dhe po llogarisin se sa kanë fituar tanët dhe se sa do të fitojnë, kuptohet në euro, nëse e kalojnë edhe ndonjë tur tjetër.
Në fakt, ajo që na mungon është një informacion transparent, se si do të vazhdojë sezoni i ardhshëm. Pas mesazhir të ndjerë të Dukës drejtuar Tiranës, duhet të pyesim se çfarë u bë me kërcënimin e tij serioz, për një dënim të mundshëm të kampionëve, qoftë edhe për faktin, se për një gjë të tillë, si asnjëherë më parë kishte thirrur në ndihmë edhe ekspertë të UEFA-s. Duhet pyetur se çfarë do të bëhet me këto skuadrat tona që po u bllokohen merkatot për arsye të ndryshme, ose për të qenë më të thjeshtë, a do të kemi këtë sezon, të paktën 10 skuadra që do të luftojnë deri në fund, ashtu siç e kemi të shkruar edhe në letër? Ndoshta përpara se të zëvendësohej me aq shpejtësi, asaj vazos të u thye i duheshin mbledhur copat…