Të moçmit thonë se nuk mbahen dot dy kunguj në një sqetull! Pasardhësit e tyre , sidomos ata që merreshin me sport, e përshtatën në një formë tjetër: “S’mund të jesh fitues njëherësh në dy lloj sportesh”. Nëse do ta quanim edhe politikën sport, dhe ta fusnim tek sportet e rënda, modifikimi i kësaj shprehjeje do të ishte i tillë: “ Kur luan njëherësh në dy ekipe, edhe në politikë edhe në sport, konkretisht në futboll, tek njëri duhet t’i pranosh humbjet!”. Por, presidenti i Kukësit, Safet Gjici, ka bindjen dhe beson verbërisht se ka lindur vetëm për fitore dhe me humbjet nuk bashkëjeton dot. ..
Ndaj, ky Kukës, sidomos i këtij sezoni, ky vuajtja është bërë dyfishe për meritë të futbollistëve , por edhe të disa arbitrimeve me gafa flagrante , e zhgënjen shumë president Safetin. Dhe në këto momente krize , ai gjithnjë shfaqej me shkopin magjik, dhe përmbyste situatën me tonin e tij aspak miqësor, por frikësues deri në motivim.
Ishin kohë të arta, kur presidenti “flinte” me futbollistët , nuk kishte bërë akoma flirt me politikën, kur përmbyste ndeshjet me një të thirrur në pushimin e ndeshjeve. Ishin kohë fitoresh dhe trofesh , ngaqë politika e tij e vetme ishte futbolli, ndërsa “perënditë e futbollit” i shkonin pas muzikës së tij, kur arbitrat nuk ishin bukëshkalë, por ushtarë të bindur që më kollaj tradhëtonin të dashurat se sa Kukësin. Ndaj, në këto çaste, kur presidenti shfaqi zemërimin me tonin që e njohin të gjitha veshët e futbollit, na duket si një zë që nuk përcjell më as frikën dhe as magjinë e dikurshme…
Sfidanti.al