Vjedhjet në shtëpitë e milionerëve të PSG-së nuk i ndalojnë dot me truproja!

Është përsëritur kaq shpesh në qindra e mijëra vjet, me popuj, fise e grupe njerëzish që niseshin nga atdhetë e harruar, kalonin male, fusha e lumenj për të siguruar mbijetesën. Vjedhja nuk ishte një mëkat atëherë, ishte një profesion i detyrueshëm për vazhdimësinë e racës. Në botën e sotme, që i thotë botës e qytetëruar, në një qytet fare pranë njëri-tjetrit mund të jetojnë njerëz me fat kaq të ndryshëm sa nuk bëhet.

Një palë, të blatuar me talent për të fituar miliona herë më shumë sesa i duhet për të qenë të shëndetshëm, të lirë e të lumtur, ndërsa një palë tjetër më e madhe në numër, me kaq shtrëngesë saqë nuk plotësojnë dot nevojat e domosdoshme. Kur kjo pala e dytë, ashtu mes halleve, duartroket të parët, kjo cilësohet normale. Kur, disa bij të egërsuar të palës së dytë, i kthehen “zanatit të të parëve” dhe përvetësojnë diçka të pasunarëve të qytetit, atëherë bëhet skandal, ndonëse gjendja ishte ato që ishte atëherë, dhe shkaqet po ato.

Në Paris, mediat po skandalizohen e po i qajnë hallin Angel Di Marisë sepse disa vjedhës i hynë në shtëpi dhe i morën gjëra me vlerë 500 000 euro. Po ashtu, babain e Markinjos e rrahën ndërsa e vodhën. U bënë disa vjedhje radhazi në shtëpinë e milionerëve të PSG-së këta vjet dhe klubi i kryesuar nga milionerë edhe më të mëdhenj po merr masat me “mjetet e dhunës”, me truproja për t’i mbrojtur ata që kanë aq shumë sa nuk i duhet, nga ata që nuk kanë as atë që u duhet. Natyrisht, asgjë nuk mund t’i ndalojë vjedhjet në të ardhmen, siç nuk i ndalonin dot çetat e kelmendasve që shkonin deri në Bosnjë për të grabitur karvanet, siç muri i Donald Trampit nuk i ndalon dot njerëzit që arratisen nga mjerimi për në SHBA, apo siç ndodhi dikur që as legjionet e fortifikatat e Perandorisë Romake nuk i ndaluan dot ata që mbiquheshin barbarë që të përmbytnin vendin e të plaçkisnin edhe vetë “Qytetin e Përjetshëm”, Romën.

Sfidanti.al