Kur na mund  Kosova ka “dhunë në familje”, kur fitojmë ne quhet.. “vëllazërore”!

Kete herë , sikur të gjithë të kishin bërë një pakt, e  pagëzuam ndeshjen Shqipëri- Kosovë si “vëllazërore”.  Kjo edhe për inat të ndeshjes së fundit, ajo, e marrtë dreqi, që na doli nga shinat,  kur vëllai i vogël, Kosova, mundi keqazi, madje e turpëroi me lojë e me gola , vëllain e madh, Shqipërinë.  Po të besosh më shumë sa duhet tek patriotizma  “vëllazërore”,  ajo që ndodhi mund  të kategorizohej  si një vepër e denjë për  fushatën ..dhunë në familje! E mbani mend se ç‘i bënë Zhegrovës, i cili  bëri “mëkatin e madh” duke dribluar të madh e të vogël në Kombëtaren tonë.  Ku ishte dëgjuar që vëllai i vogël të hidhte “nokaut” vëllain e madh. Ndaj, kjo “vëllazërorja” e fundit në Tiranë, ku fitoi Kombëtarja e Edi Rejës ndaj Kosovës, po trajtohet si një rikthim normaliteti në familje. Madje më shumë se kaq,  kur edhe trajneri veteran italian   e bekoi si  një ndeshje ku fituan të rinjtë, ata të epruvetës  kuqezi..

“Na u desh të bënim një vlerësim për të rinjtë dhe kjo ndeshje na shërbeu shumë” – ka thënë trajneri Reja, pa harruar edhe qokën për  “vëllain e vogël”, për të cilin tha se “ Mos harroni se Kosova ka një skuadër shumë të mirë”.  Pra, dy fitore në një ditë:  edhe mundëm Kosovën, vëllain rebel,  edhe e zgjatëm akoma më shumë zinxhirin e talenteve të zbuluara. Pyetja që nuk lejohet të bëhet në këtë moment,  mund të jetë e tillë: kjo ndeshje,  për të cilën thuhet  se u bë për projektin e së ardhmes, ç‘ lidhje pati me dy ndeshjet e Ligës së Kombeve që po trokasin tek dera ? Apo në  miqësore, zbulojmë emrat e rinj dhe sapo  vijnë zyrtaret ..rizbulojmë “talentet “  e vjetër!

Sfidanti.al