Ku po shkon.. o Partizani i Moxhit?  Kjo është ”parajsa e premtuar”

Partizani në versionin italian “alla Moxhi”  nuk ndalet duke koleksionuar zhgënjime dhe humbja e fundit me Kamzën  nuk ia ndryshon stilin dhe fytyrën  shef Luçianos.  Fjalët e tij, pas çdo humbje,  sikur mbërrijnë nga një magnetofon që ka ngecur në vend: “ Do të flas me presidentin lidhur me fatin e trajnerit Juliano..” Siç duken bathët, erdhën bashkë të kapur prej dore, Moxhi dhe paketa e tij fituese, trajneri  Juliano,  por do të ikin në kohë të ndryshme nga “demat”, që për meritë të tyre nuk janë më as dema. Partizani,  si me magji të zezë, nga ato që vetëm “profeti” Moxhi  mund t’i shpejgojë dot, është shndërruar në një formacion që del në fushë tejet i zbehtë, aq anemik,  sikur të ketë larguar nga trupi gjithë gjakun e një sezoni më parë.  Pale kur kujton kasetën italiane, në fillim të dashurisë me tingujt e “këngës së Luçianos” se ..Nuk kam ardhur për të dalë i dyti! Një frazë që disa e përkthenin me stilin euforik se me Moxhin do të shikonin një futboll të paparë për dy arsye:për shkak të moshës dhe.. e dyta, ngaqë ndihej i tradhëtuar nga kombi i tij, do të shperthente në një tokë të virgjer…

Në Ruletin e fatit, në tokën e futbollit  të çudirave pa fund , askush  nuk kishte besuar se në një kohë kaq të shkurtër, Partizani do të shndërrohej në një formacion kaq humbës, sa të duket tejet i lavdishëm ekipi i një sezoni më parë kur  të gjithë i kishte kundër, rivalët në fushë dhe fantazmat nëpër zyra,  që pasi kishin varur në mur fotografinë e Partizanit, e  qëllonin me shigjeta si ritual vdekës  para ndeshjeve. Por, në këto momente, fantazmat zyrtare, kanë mbetur papunë,  sepse klubi që drejtohet nga Moxhi dhe soji i tij,  po dështon aq rrufeshem sa edhe arbitrat nuk e sulmojnë më si një vit më parë, sepse edhe shefat nga lart  po kënaqen me harakirin e kuq, ku edhe pse vritesh, gjaku nuk del gjëkundi…

Sfidant.i.al