Sa herë që themi se Kombëtarja ka priviligjen e madh se portën e saj e mbrojnë futbollistë që luajnë në Serinë A, mbërrijnë bataret me gola nga kundërshtarët, si kjo flama e fundit me gola nga Polonia, ku nuk mjaftuan as katër shuplaka për të qepur gojën kuqezi që s’di të mbyllet kurrë. 4 gola nga polakët , që luanin sikur të na kishin përgjuar para ndeshjes. Tamam nga një gol për 4 “bombat” tona të gënjeshtra në prag të ndeshjes.
Cilat ishin ato? E para – Trajneri Reja i binte kambanës para ndeshjes se do të kërkonim kualifikimin në kurriz të Polonisë, e dyta – futbollistët tanë në kor premtonin se do ta luanin këtë ndeshje si një” finale” me mendjen në fushë dhe jo tek kartonat e verdhë dhe gafat në mbrotje, e treta – Levandoskit me shokë do t’i tregonim se Shqipëria e Edi Rejës është më e fortë se kurrë dhe e katërta – Sido që të dilte ndeshja, do të luanim 90 minuta dhe jo futboll me copëza , sipas zakonit…
Të turpërohesh nga Polonia e Levandoskit nuk është fundi i botës sepse, pa gënjyer veten, ne futbollin më shumë e luajmë me fjalë se sa me vepra. Dëgjoni se çfarë thotë Edi Reja dhe të bindemi se mbi cilin moral mbahen përrallat tona në Kombëtare: 3 kartona të verdhë në 8 minuta, faulla dhe një penallti e padhënë nga arbitri!Mesa duket, skema e “Sistemit kuqezi” vajiset edhe nga vetë Reja, që ndofta bën sikur akoma nuk kupton se si thithen e përthithen kartonat e verdhë nga çunat tanë, për 8 minuta, qoftë edhe për 10 minuta disa ndeshje më parë, sikur të jenë të komanduar…
Pale të zhytesh tek gafat “made in Albania” në mbrojtje, atje ku nuk shtrerrojnë bëmat edhe kur emrat janë ndjellës si Kumbulla, Hysaj , Xhimshiti apo Smajli. Si duket, akoma nuk na është mbushur mendja top, se në kohën e presidentit Duka, sido që ta ketë emrin trajneri, apo ermat e futbollistëve që u kemi besuar portën, për gati 20 vite, kemi perndjekur një “cirk golash” nga protagonistë të palodhur , gabues stoikë dhe të pacënuar , me një stil unikal gjykimi që u mbetet mendja tek një penallti e padhënë nga arbitri dhe harrojnë me krenari gafat e tyre..
Sfidanti. al