Imagjinare me presidentin Duka, kur pritet “përjetësimi” në UEFA

Sa herë  që Kombëtares i lirohet llastiku i mbathjeve,  si me dorë apo me një marifet magjik,  fillon loja me yjet e saj,  trajnerin De Biazi dhe presidentin Duka, që shkëlqejnë aq shumë, sa as nuk të shkon mëndja se çfarë ka ndodhur me përfaqësuesen në ndeshjet e këtij sezonit.  Sapo trajneri ka prekur qiellin e shtatë, duke u dekoruar nga vendi i tij, Italia, për punën e pashoqe në Shqipëri, shpërthen lajmi tjetër, ai më sfidues, presidenti ynë do të konkurrojë për një vend në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s.  Loja e çmimeve dhe e posteve nuk deshifrohet dot nga të gjithë, madje disa trukojnë rezultatin e kësaj gare duke shpallur fitues trajnerin përmbi presidentin.  Të vjen të thërrasësh: o Zot,na ndihmo të gjejmë heroin e vërtetë!  Përgjigja vjen nga zoti i futbollit, vetë presidenti:  Jam gati për një intervistë imagjinare!  Jam velur me pyetjet e gatshme,  madje mund të bëni edhe pyetje me helm,  nga ato që të forcojnë gjunjët për të shkuar në UEFA.

  •  President, thonë se Europa, sidomos ajo e futbollit na e ka me hile, gjithnjë gjërat më të mira i do për vete. UEFA do ta fitojë Dukën, por mund ta humbasë ..Shqipëria?Nëse unë futem në Komitetin Ekzekutiv, më shumë fiton Shqipëria, sesa vetë Armando Duka.  As nuk do të dënohemi më, as nuk do të flitet për trukime, bile do të bëjmë më shumë stadiume.
  • Thonë se futbolli nuk ka kujtesë, por ca gjera s’harrohen. Ju kujtohen ditët që luftonim për 3 pikët e Beogradit ,ku në një parrullë shkruhej: “ UEFA është lavire”. Si të bëjnë këmbët të hysh tani?
  • Do të hyja me zemër dhe jo me këmbë. Atë parrullë nuk e kam shkruar unë, por populli i futbollit, të cilit i lejohet edhe të gabojë. Atëherë ishte Platini, tani është Ceferin, një njeri më i hapur..
  • Nuk dihet sa e vërtetë është, por thonë se tani jeni ju që nuk i hapni telefonin Platini-së, siç ua bënte në ditët e sikletshme të dronit..
  • Eh, Misheli shkretë? I kishte thënë dikujt me ironi se Duka nuk erdhi në funeralin tim. E doja shumë kur ishte në fron, edhe më shumë se veten ndonjëherë, por mbeti një  njeri i përkedhelur me tepri  ndaj edhe gaboi.
  • Ky Ceferin duket jo vetëm më i hapur, por edhe tepër shpirtgjërë . E luajti pjesën shumë bukur, sikur nuk ndodhi asgjë, kur plasi historia me fondin e Solidaritetit..
  • Mos u bëni budallenj! Futbolli e ka gojën e madhe dhe klubet nuk mbajnë mënd çfare kanë ngrënë gjithë keto vite. Pse ku kanë shkuar lekët..?
  • Gojët e këqia, të cilat punojnë si orë zvicerane, thonë se edhe paratë që ishin depozituar në Zvicër janë futur të gjitha tek betoni i stadiumit?
  • Ju e dini si janë shqiptarët, jetojnë me përralla dhe e vërteta sikur iu prish stomakun. Po ju zë be, për kokën e Europianit, dhe ju e dini sa më kushtoi, se paratë e fëmijëve, ato të Solidaritetit, janë brënda nesh. Edhe topi po të kishte gojë, do ta tregonte..
  • Akoma na kumbojnë në veshë fjalët e ambasadorit italian se “ De Baizi e futi në hartën e Europës ..Shqipërinë”. Përse nuk ia përplase në fytyrë?
  • Politika, dhe jo UEFA, mund të quhet lavire. Kur shikoja De Biazin që shkëlqente nga nuri, thoja me vete “ishalla nuk turpërohemi me Italinë, si me Izraelin”.
  • Një merak që po e bluajnë të gjithë: në intimitet ju ka thënë De Biazi, rrofsh o president,  se ti bëre mrekullinë armene, kurse unë ta ktheva me atë ..franceze!
  • De Biazi nuk e ka thënë me fjalë, por ne kemi një kod që kuptohemi qoftë edhe me një shikim.
  • Po kur na ranë brekët me Izrealin, a patë në sy para ndeshjes?
  • Mund të jemi të varfër me para, veç shumë të pasur me dyshime. Disa të çmendur thonin se ndërrimin e Hysajt e sajova unë dhe jo trajneri.  Madje kisha shtypur telekomandën edhe kur Berisha goditi me kokë…
  • Ju pëlqen, s’ju pëlqen, telekomandës suaj nuk i mbarojnë kurrë bateritë. Ne kemi dalë nga Europa për klube, ngaqë jemi të dënuar, kurse ju po hyni në UEFA..si hero?
  • Kur të më shikoni me kostumin e zyrtarit europian, do të  filloni të kuptoni se Armando i Argjentinës e bëri golin me ndihmën e dorës së Zotit, kurse  Armando i Shqipërisë  e bën golin pa ndihmën e Zotit..vetëm në saj të përkushtimit.
  • Sapo të bëheni europian, puna e parë që do të bëni?
  • Do të bëjë fusha vetëm për fëmijët,  mjaft me stadiume se nuk kanë edhe ku të lahen…
  • Kjo Tirana-Kukesi, turpi i paralajmeruar, meritonte të ruhej me 300 policë, dhe jo ndeshja Partizani- Vllaznia ?
  • Më dhanë fjalën se do ta qanin ndeshjen sa nuk do të kuptohej fare që e kishin qepur të dyja, por më gënjyen edhe mua. O robo, nuk i thashë unë Tiranës që të fuste në fushë fëmijet e baballarëve..

 

Gëzim Sinemati

 ( botuar në gazeten Panorama Sport)