Imagjinoni një djalë shqiptar të rritur në qytete të rinj industrialë, me popullsi të përzier si Laçi, Ballshi apo Fieri. Këtë djalë merreni dhe dërgojeni në një nga ligat më të mëdha të botës, me një nga rrogat më të larta që mund të japë futbolli, dhe do të krijoni pasqyrën e saktë të jetës dhe karrierës së një njeriu që ka provuar kontraste ndër më të mëdhenjtë e botës.
Antonio Valensia nuk është shqiptar, por nga Ekuadori, veçse në gjithçka tjetër i ngjan historisë që treguam më lart. Valencia luan sot për Mançester Junajtidin, klubin më të pasur dhe ndoshta më të famshëm të botës, edhe pse jo më të suksesshmin me trofe ndërkombëtarë.
Lojtari 31-vjeçar i krahut të djahtë lindi në qytetin e vogël të Lago Agrios, qytet i krijuar pas zbulimit të rezervave të naftës aty, dhe ndërtuar në mes të xhunglave të Amazonës, ku mbretërojnë shirat, baltërat dhe kafshët e egra.
“Në moshën 15 vjeç unë nuk e dija nëse do të kisha për të ngrënë, por mora vesh se ekipi i Serisë A, El Nasional, po provonte futbollistë dhe preva një biletë autobusi e shkova atje”. Valensia ia mori paratë nënës, ndërsa babait nuk i tha asgjë, dhe ai udhëtim ishte pa kthim. Ai nuk shkoi më, në Lago Agrio.
Karriera e tij eci shpejt dhe sot ai është një nga lojtarët më të mirë të Mançester Junajtidit, ndërsa Zhoze Murinjo e quan “lojtarin e krahut të djathtë më të mirë të botës”. Gjithsesi, suksesi i tij meteorik, realizimi i një ëndrre që mund të cilësohet “amerikane”, nuk na jep shpresë se kjo histori mund të vlejë për qindra e mijëra djem në Ekuador apo kudo në botë. Rruga drejt suksesit është shumë e ngushtë, dhe nxë fare pak njerëz.
Sfidanti.al