Aventura europiane e Egnatias do të vijojë edhe në transfertë, me “Ultras Egnatia” që ka bërë publike organizimet për tre ndeshjet e fazës së ligës në Ligën e Konferencës. Tifozët rrogozhinas do të udhëtojnë fillimisht drejt Danimarkës për sfidën ndaj Aarhusit, me nisjen e parashikuar më 21 tetor dhe kthimin më 23 tetor. Më pas, destinacioni do të jetë Rumania për përballjen ndaj Craiovas, ku udhëtimi do të zhvillohet nga 4 deri më 6 nëntor. Transferta e fundit do të jetë ajo në Portugali për ndeshjen ndaj Bragës, me nisjen më 16 dhjetor dhe kthimin më 18 dhjetor.
“Ultras Egnatia” u ka bërë thirrje tifozëve që të jenë pranë skuadrës në këtë aventurë historike europiane. “Aventura europiane vazhdon dhe këtë herë rruga jonë na çon larg, por asnjë kilometër nuk është shumë kur në zemër kemi Egnatian. Tre udhëtime, tre stadiume, mijëra kilometra dhe vetëm një qëllim: të jemi pranë ekipit tonë të zemrës. Ekipi ynë ka bërë mrekullinë duke na realizuar një ëndërr që u bë realitet, Europa. Ky kompeticion është diçka që rrallëherë bëhet realitet për ekipet shqiptare dhe nuk duhet humbur”, thuhet në njoftimin e tifogrupit.

