Fuqia e Kimit qëndron te lehtësia me të cilën tregon se është në gjendje të menaxhojë presionin, pa u përfshirë dhe pa u mposhtur prej tij. Besoj se mosha e tij e re e ndihmon shumë në këtë drejtim”, kështu u shpreh Toto Volf të dielën në Monza pas suksesit të pilotit italian të Mercedesit, protagonist i një triumfi të jashtëzakonshëm në Monza, duke startuar nga pozicioni i 19-të.
Mosha e re duket se përkthehet në një përshtatshmëri më të madhe të Antonelit, si edhe të bashkëmoshatarëve të tij apo pilotëve me relativisht pak përvojë, ndaj Formulës 1 moderne, asaj të epokës së rikuperimit të energjisë. Një F1 që kolegët e tij më të vjetër në skenë duket se mezi e tolerojnë, sidomos kur e krahasojnë me rregulloren teknike paraardhëse dhe, në disa raste, veçanërisht Hamilton dhe Alonso, edhe me ato të së kaluarës, 10 apo 15 vite më parë. Nuk bëhet fjalë për keqardhje, nostalgji apo ankesa që nuk sjellin asgjë kur ndizet kronometri.
Është pak a shumë si rasti kur një adoleshent i lindur në epokën digjitale “tallet” me vëllain e madh të formuar në epokën analoge. Teoria gjen mbështetje edhe te paraqitjet e kolegëve të Kimit. Në Monza, Arvid Lindblad konfirmoi ngjitjen e vazhdueshme që e ka bërë një frekuentues të rregullt të zonës së pikëve, edhe falë disa paraqitjeve mbresëlënëse në kualifikuese.
Një përjashtim i pjesshëm është Isak Hadxhar. Por edhe në rastin e tij duhet pasur parasysh se ai është gjithsesi i teti në Botëror, pavarësisht se ka zhvilluar dy gara më pak, gati tri. Dhe në anën tjetër të ekuacionit qëndron gjithmonë një emër i tillë si Maks Vershtapen. Kimi Antoneli duket, pra, si maja e diamantit e një brezi që po rritet jashtëzakonisht shpejt dhe që të jep përshtypjen se është bërë njësh me njëvendëshen e tij, më shumë sesa brezi që e ka paraprirë. Tashmë F1 është “Kimi dhe të tjerët”, ndërsa të gjithë provojnë që ta kapin…

