Sikur Italia të përgjojë komentet tona për humbjen me Spanjën, nuk do të besonte se ka edhe humbje me 3 gola që ngjall ‘krenari”. Ish-trajneri De Biazi, edhe pse në Itali predikon se humbjet janë humbje, nga stoli i Alaveshit na këshillon të mos bëjmë dramë për këtë ndeshje sepse “ Nuk ishte ndeshje e keqe, sidomos në pjesën e dytë. Fundja edhe Italia kaq pësuar.. 3 gola nga Spanja”. Ish- trajneri i Partizanit, Starova, pikërisht në këtë ndeshje kontraverse midis pjesëve, ka bërë zbulimin që prisnim prej vitesh : “ Panuçi po bën kthesën e madhe me Kombëtaren, ky është trajneri që kërkonim për të flakur frikën e madhe..” Ndërsa, Ervin Skela, ish-mesfushori vizionar, rekomandon me arsye praktike se në menynë e humbjeve, kur luan me një ekip të madh si Spanja, duhet të zgjedhësh mënyrën e “vdekjes”. Vetë, i zoti i punës, trajneri Panuçi, nuk ka qejf t’i flasësh për pjesën e parë, aty ku ping-pongu spanjoll për pak na këputi kokën, por ndalet në pjesën e dytë, ku ekipi i tij u ngrit në këmbë nga krevati dhe “dominoi” lojën, kuptohet me lejen e palës tjetër.
Dikur talleshim kur shijonim humbjet dinjitoze, tek të cilat nuk futeshin ato ku pësonim 3 gola dhe për 45 minuta dorëzonim çelësat e shtëpisë. Siç duket, edhe në futboll, moda është me cikle, ku edhe humbjet me gola dhe me logjikë nuk duhen parë me shumë dramë. Pale kur mendon se për pak orë do të ndeshemi me Italinë në versionin më të keq, më të zemëruar se kurrë, ngaqë është tejet e kritikuar dhe e vendosur me shpatulla pas murit nga opinioni pas zhgënjimit grotesk me Maqedoninë. Sikur të ishim edhe ne të zemëruar pas humbjes me Spanjën, pa patur iluzionin se 3 golat që mblodhëm ishin një ‘hap para” në krahasim me humbjen në Shkodër, do ta besonim edhe më shumë trajnerin Panuçi kur na premton se do të shohim “ndeshjen e jetës”. Ishalla është për ne dhe jo për ..trajnerin.
Sfidanti.al