Futbollistët e Kombëtares, njëri pas tjetrit, po shfaqen, madje më të ndjeshëm sesa për vetë humbjet, për të qortuar gjestin rebelues të shokut të tyre,Taulant Xhaka. Një tradhëti e ëmbël dhe tradicionale, që nuk mund të mungonte tek kuqezinjtë. Dikur e patëm shpallur hero në Beograd, kur tregoi burrëri në skenën e dhunës, të cilin e konvertuam mrekullisht si patriotizëm. Është po ai Xhaka, që goditi shishen me shkelm dhe pankinën me grusht gjatë Europianit, sapo trajneri De Biazi e largoi nga fusha dhe në sytë e të gjithëve u fiksua skena e cila përgënjeshtroi iluzionin për disipilinën dhe lumturinë kuqezi që predikohet nga “kisha e futbollit”. Edhe në ndeshjen me Italinë, Xhaka edhe pse nuk ishte në fushë, mori skenën edhe pa luajtur. Fjalët e tij ishin flakëruese, sidomos për trajnerin italian. Më shumë se ndarje lamtumire, fjalët u dukën si një goditje për nokaut “ Unë luaj për flamur, kurse De Biazit i interesojnë vetëm paratë”. Për hir të së vëtetës, të gjithë luajnë për karierë, me një fjalë për para, ndaj le ta lëmë flamurin të qetë …sepse e kemi lodhur.
Xhaka në Zvicër i ka përgjuar të gjitha ato që janë thënë këto ditë. Paska nënqeshur kur ka parë shokët duke aktruar në favor të trajnerit. Sidomos ata, të cilët u telekomanduan në ekran me petkun e indinjatës, aq sa ishin gati të thonin se pas kësaj ngjarjeje …jemi më të fortë se kurrë! Kështu ka ndodhur me të gjithë të larguarit ” e merituar” Rashicën, Berishën apo Gashin në fund. E di me sy mbyllur këtë ritual-kasetë Taulanti, ndaj në Bazel paska shtuar disa fjalë, të cilat më mirë t’i kishte thënë në Tiranë: “ Unë e di që nuk jam ylli që s’mund të ulem në stol, por meritoj një shpjegim nga trajneri. De Biazit, fill pas polemikës që kam patur në Francë, i kam parë vetëm kurrizin dhe më shmangte kudo që më shikonte”. Këto fraza, duket sikur i kemi vjedhur në librin e Ibrahimoviçit, atëherë kur thumbonte me sulmuesin tjetër, Tieri Henrin, sjelljen e trajnerit Pep Guardiola, me fjalët tallëse: “ I kam harruar ngjyrën e syve trajnerit, sepse më tregon vetëm kurrizin dhe më..largohet”. Siç duket, trajnerët, të mëdhenj apo të vegjël qofshin, kanë stilin e tyre kur dikush u ka dalë nga zemra , dhe më pas përgatiten për ta nxjerrë edhe nga fusha. Rasti Xhaka e ndez më shumë intrigën, sidomos, kur nga njëra anë dëgjon futbollistët që e kanë ndjerë gjestin e shokut më shumë sesa vargun e humbjeve, kurse në krahun tjetër, pozon presidenti Armand me një urim- puthje për ditlindjen e 26-të të Xhakës. Një urim që nxit pyetjen hileqare : po Xhaka ka marrë leje të përkohshme tek Zotat për të braktisur ekipin Kombëtar sa të jetë De Biazi..
G.Sinemati