Kur Xhanluixhi Bufon u mor nga Juventusi në vitin 2001, e gjithë bota u çudit. Piemontezët i dhanë Parmës afërsisht 100 miliardë lireta italiane të asaj kohe, baraz me 53 milionë euro. Ky është ende sot e kësaj dite rekordi i transferimit për një portier, por duket se ka ardhur koha që të thyhet. Si shpesh herë, do të jetë Reali që do ta thyejë nëse do të bëjë lëvizjen për portierin e Mançester Junajtidit, David De Gea.
“Gardiani” spanjoll është një objektiv i madh i Madridit, dy vjet pas dështimit të turpshëm për ta marrë në kohën e Rafa Benitezit. Mediat iberike kanë shkruar se De Gea ka një klauzolë shitjeje, gjë që e ai e paska kërkuar nga Junajtid për të rinovuar kontratën në 2015, dhe kjo klauzolë qenka 52 milionë stërlina (61 milionë euro). Edhe nëse do të ishte kështu, rekordi i Bufonit do të thyhej, por Reali do të jetë i detyruar të paguajë më shumë.
Mediat britanike shkruajnë se De Gea nuk ka klauzolë shitjeje dhe klubi i presidentit Perez duhet të paguajë dyfishin e shifrës që Juventus shpenzoi për Bufonin, pra më shumë se 100 milionë euro.
Sfidanti.al