Nuk mund të thuhet se ka qenë një sezon përrallor për Granit Xhakën. Ylli shqiptar i Zvicrës po provon sesa i vështirë mund të jetë futbolli anglez kur nuk përshtatesh dot shpejt dhe siç duhet, ndonëse si luftëtar i vërtetë nuk ka ndërmend të dorëzohet. Mesfushori krenar nga Kosova u kthye nga grumbullimi me kombëtaren e Zvicrës dhe vendosi të provonte një copë “përrallë” në Londër.
Futbollisti shkoi të vizitonte qendrën argëtuese “Aventurat e Shrekut” në Londrën Qendrore, dhe pozoi bashkë me të fejuarën e tij (edhe atë me origjinë shqiptare) Leonita Lekajn. Xhaka 24-vjeçar po bëhet gati për sfidën e madhe të fundjavës në Premier Ligë, dhe sipas mediave trajneri shumë i kritikuar Arsen Venger, do ta hedhë në fushë si titullar për Arsenalin ndaj Mançester Sitit në stadiumin “Emirejts” të Londrës.
Sfidanti.al